“Ballkani i hapur” është projekt i njëjtë si Bashkimi Europian

0
0

Njohja mund të jetë edhe rezultat i pajtimit, paqëtimit, bashkëpunimit dhe ndërvarësisë ekonomike. Pra, nëpërmjet një qasjeje liberaliste (Ballkani i Hapur) mund të arrihet të bindet që Serbia të njohë Kosovën, madje të kërkojë falje edhe për krimet që forcat e regjimit të Millosheviqit kanë kryer aty. Por, Kosova është larg filozofisë liberaliste, pasi nuk ka arritur të ndërtojë vetëbesimin e nevojshëm për të qenë një aktor proaktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare ose, në rastin konkret, rajonale. Tentimi i Shqipërisë për ta mbuluar edhe Kosovën i ka përkeqësuar edhe më shumë gjërat.

Shkruan: Xhelal Neziri, Tetovë

Për të trajtuar temën e projektit të “Ballkanit të Hapur” në kontekstin e përplasjeve Tiranë-Prishtinë, patjetër duhet analizuar edhe raportet dhe ambiciet e kryeministrave të të dyja vendeve. Përveç kësaj, duhet zbërthyer edhe qasjet e ndryshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilat favorizojnë apo kundërshtojnë këtë projekt. Të shkojmë me radhë!

Përplasja Rama-Kurti

Ka kohë që Edi Rama dhe Albin Kurti janë në një lloj gare për kontroll politik mbi gjeografinë etnike shqiptare, të shtrirë në pesë shtete. Deri më tani kjo garë ka qenë asimetrike – Rama ishte kryeministër, kurse Kurti lider i një partie opozitare në ngritje. Së këndejmi, përpjekja e Kurtit për ta dobësuar ndikimin e Ramës në Kosovë ose edhe për ta rritur ndikimit e tij jashtë kufijve të Kosovës, dukej tepër ambicioze. Në traditën politike të shqiptarëve etnikë në rajon dhe përtej, Shqipëria dhe pushtetarët e saj kanë qenë ata që e kanë mbajtur të ashtuquajturën “vulë patriotike”. Me atë kanë ngritur ose rrënuar parti e figura të caktuara politike.

Por, tani duket se ka një moment të ri. Kurti është një kryeministër i ri me plot energji për të qeverisur madje disa mandate radhazi, kurse Rama lider që fitoi mandatin e tretë, mbase të fundit të kryeministrit. A do ta imponojë Kurti një ndikim më serioz dhe më të qëndrueshëm në qendrat të gjeografisë shqiptare, kjo pritet të shihet.

Për dallim nga Rama dhe pararendësit e tij, që e shtrinin ndikimin nëpërmjet partneriteteve të pashpallura me parti të caktuara jashtë kufijve të Shqipërisë, Kurti ka një qasje tjetër – të konkurrencës në sferën publike, madje edhe në zgjedhje. PS-ja ka partneritet tradicional me partitë që dolën nga Lidhja Popullore e Kosovës (LPK), si PDK në Kosovë ose BDI në Maqedoninë e Veriut, por asnjëherë nuk ka hapur zyra ose themeluar subjekte që do t’i konkurronin ato. Në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe PD-ja, duke e përkrahur të djathtën shqiptare në Prishtinë ose në Tetovë.

Themelimi i një lëvizjeje politike në Maqedoninë e Veriut nga ana e Kurtit do të ishte një moment i ri në marrëdhëniet ndërpartiake. Në Shqipëri tanimë është realitet. Për herë të parë një parti e Kosovës hapi zyra në Tiranë, ku mori pjesë në tre qarqe zgjedhore, në fushatën e së cilës mori pjesë edhe Kurti. Rezultatet ishin zhgënjyese, por kjo nuk ka ndalur VV-në në Tiranë që të jetë e zëshme kundër Ramës dhe politikave të tij.

Kjo, megjithatë, hap disa dilema që mund të prodhojnë probleme në vend të të mirave:

E para, e bën Kurtin palë në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, e jo autoritet mbipartiak që mund të ketë ndikim te të gjithë qytetarët shqiptarë, siç ka ambicie.

E dyta, do të mund të akuzohet për ndërhyrje në politikat e brendshme të shteteve fqinje, që është në kundërshtim me Parimet e Vestfalisë, që përcaktojnë sovranitetin e qytetarëve mbi shtetin e tyre.

Dhe e treta, mund të legjitimojë interferimin e Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit në skenën politike të Kosovës nëpërmjet Listës Serbe.

Realizmi vs liberalizmi në Ballkan

Realizmi i ka karakterizuar marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë 150 viteve të fundit. Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, si dhe Lufta e Ftohtë, nuk arritën të krijojnë një mjedis në të cilin institucionet ndërkombëtare do të luanin një rol të madh në ruajtjen e paqes dhe shtetet do të udhëhiqeshin nga i ashtuquajturi moral ndërkombëtar.

Pjesë e kësaj tabloje është sigurisht Ballkani, një rajon që shpesh është sinonim i nacionalizmit, urrejtjes dhe luftërave midis vendeve që jetojnë atje. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë në 1990, realizmi u bë qasja e vetme në marrëdhëniet midis kombeve dhe, më pas, midis shteteve të reja të krijuara.

Realizmi dhe liberalizmi mbeten teoritë kryesore politike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Përkrahësit e realizmit besojnë se në botë ka anarki dhe se vetëm shteti mund t’i mbrojë qytetarët e tij. Shtetet janë në konflikt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin për t’i mbrojtur interesat e tyre kombëtare, kështu që ato duhet të jenë faktori i vetëm në këto marrëdhënie. Sipas realistëve, vlerat, parimet ose arsyeja nuk duhet të jenë pengesë për arritjen e këtyre qëllimeve të shtetit. Siguria e shtetit është qëllimi kryesor i realistëve dhe për ta arritur atë, është e nevojshme të sigurohet një ekuilibër i fuqisë midis shteteve. Shtetet, sipas ithtarëve të kësaj teorie, nuk duhet të jenë të varur nga njëri-tjetri, pasi janë në një situatë të vazhdueshme të konfliktit dhe armiqësisë së mundshme. Institucionet ndërkombëtare ose organizatat mbikombëtare nuk duhet t’i përcaktojnë ose zëvendësojnë interesat kombëtare të secilit shtet individualisht.

Liberalistët, nga ana tjetër, thonë se shtetet janë aktorë të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, por nuk janë të vetmit. Në këtë kontekst, aktorë nga shoqëria politike, civile dhe ekonomike, si organizatat joqeveritare, dhomat e tregtisë, shoqatat e qytetarëve etj., gjithashtu mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Në vend të anarkisë, liberalët i shikojnë marrëdhëniet shtetërore në mënyrë më optimiste, duke theksuar rendin dhe harmoninë e mundshme të bazuar në vlerat morale ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse ata i vendosin vlerat, parimet dhe arsyen para interesave të ngushta shtetërore. Ndryshe nga realistët, liberalët shohin një mundësi të madhe për ta arritur dhe ruajtur paqen brenda institucioneve ndërkombëtare, si FMN, OBSH, OKB, BE ose NATO. Në këtë kontekst, Bashkimi Europian (BE) është projekti dhe rezultati më i rëndësishëm i qasjes liberaliste, i cili për herë të parë në historinë e kontinentit siguroi paqe dhe bashkëpunim midis kombeve europiane në 60 vitet e fundit. Kjo paqe dhe besim reciprok ka kontribuar në krijimin e një tregu të vetëm me mundësi të panumërta për ekonominë, duke e bërë BE-në një nga ekonomitë më të forta në botë.

Realistët preferojnë konkurrencën, ndërsa liberalët preferojnë bashkëpunimin. Ndërsa të parët mendojnë se ndikimi mund të arrihet vetëm përmes përdorimit të “fuqisë së fortë”, siç është ndërhyrja ushtarake, këto të fundit bëjnë thirrje për përdorimin e “fuqisë së butë”, d.m.th. ndikimi përmes kanaleve diplomatike, duke ofruar fonde, tregje, përvoja, investime dhe përfitime të tjera për vendet. Liberalët kushtëzojnë bashkëpunimin me vendet e tjera me vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit dhe lirive. Ata besojnë se nëse shtetet ndajnë të njëjtat vlera demokratike, ata nuk kanë shumë gjasa të hyjnë në një konflikt të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Dhe, anasjelltas, demokracitë janë të prira për luftëra me forma autoritare, diktatoriale dhe forma të tjera të regjimeve jodemokratike. Për realistët nuk ka rëndësi nëse shteti me të cilin ata bashkëpunojnë i kultivon këto vlera. Mjafton që ai bashkëpunim të jetë në interes të shtetit dhe sigurisë së tij. Eksportimi i demokracisë, vlerave ose moralit ndërkombëtar në vendet e treta, sipas tyre, është humbje kohe dhe burimesh. Shembuj janë rastet e Irakut dhe Afganistanit, ku Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur të krijojnë një sistem demokratik për funksionimin e atyre vendeve.

Pse “Ballkani i Hapur” është projekt i nëjtë si Bashkimi Europian?

Bashkimi Europian (BE) është deri tani projekti më i përsosur i demokracisë liberale. Anëtarësimi në këtë union nuk arrihet as me okupim, as me presion apo me kushtëzim, por me aplikim. Secili nga vendet aplikon për anëtarësim, duke u zotuar për pranimin dhe kultivimin e vlerave themelore të Bashkimit, siç janë dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia dhe sundimi i ligjit. Vendimmarrja brenda Bashkimit bëhet me konsensus, që nënkupton peshë të barabartë të votës së secilit shtet anëtar.

Por, në Greqinë e lashtë, historiani dhe gjenerali Tukididi i shikoi marrëdhëniet midis shteteve nga një kënd krejtësisht i ndryshëm, realist. Ai beson se marrëdhëniet midis forcave përcaktohen nga më të fortat. Të fortët, sipas tij, bëjnë atë që duhet bërë, ndërsa të dobëtit pranojnë atë që duhet pranuar.

Niccolo Machiavelli në veprën e tij “Princi” thotë se vlerat morale nuk duhet të respektohen kur bëhet fjalë për interesin e shtetit. Vepra e tij u shkrua pas një periudhe lufte dhe trazirash midis republikave italiane. Në veprën e tij Machiavelli thotë se për të ruajtur sigurinë dhe shtetin, një udhëheqës duhet të sundojë me një “dorë të fortë”, pavarësisht nëse është në kundërshtim me vlerat morale, fenë apo njerëzimin.

Në të njëjtën linjë me Makiavelin është filozofi Thomas Hobbes, i konsideruar si një nga themeluesit e realizmit politik. Ai thotë se një shoqëri pa qeveri është në një gjendje të natyrës. Në atë gjendje të gjithë janë kundër të gjithëve, ndërsa individët janë të vetmuar, të varfër, të këqij, të vrazhdë dhe të vegjël. Hobbes-i, një përkrahës i absolutizmit, thotë se nuk mund të ketë shtet pa një sundimtar të fuqishëm. Ideja e tij është se çdo shoqëri ka nevojë për një sundimtar absolut, të cilit të gjithë do t’i binden, sepse ai do të ishte i pathyeshëm dhe askush nuk do të guxonte të sfidonte rregullat që ai do të vendoste. Qëllimi i këtij sundimtari të madh, sipas Hobbes-it, do të ishte parandalimi i njerëzve nga shkatërrimi i njëri-tjetrit. Ai nuk ka një qasje optimiste ndaj njeriut në një gjendje të natyrës. Ai i shkroi këto pikëpamje në “Leviathan”, menjëherë pas Luftës Civile Angleze në shekullin e 17-të, trazira që formuan idetë e tij për një qeveri të fuqishme që do të parandalonte vetë-shkatërrimin e shoqërisë.

Nga ana tjetër kemi filozofin John Locke, një konstitucionalist dhe mendimtar që konsiderohet themeluesi i liberalizmit si një teori politike. Ai e kundërshton absolutizmin e Hobbes-it dhe përpiqet ta kufizojë fuqinë e qeverisë me ligje dhe kushtetuta. Ai thotë se njeriu ka të drejta të dhëna nga natyra, pra nga Zoti, të cilat janë të paprekshme, siç janë: liria, jeta dhe prona. Aty ku Locke pajtohet me Hobbes-in është se këto tri të drejta natyrore të njeriut janë shumë të vështira për t’u mbrojtur në gjendje të natyrës, pra pa qeverisje. Pra, dikush që është më i fortë mund ta kufizojë lirinë tuaj, të marrë pronën tuaj, madje edhe jetën tuaj. Për t’i garantuar këto të drejta natyrore, thotë Locke, duhet të hartohet një kontratë shoqërore që do të miratohet dhe respektohet nga të gjithë, sot e njohur si Kushtetutë. Qeveria, sipas Locke-ut, ka për detyrë të zbatojë këtë kontratë shoqërore (Kushtetutë) dhe ta mbrojë lirinë, jetën dhe pronën e çdo individi. Nëse pushteti nuk e bën këtë, atëherë qytetarët kanë të drejtë ta përmbysin atë madje edhe përmes një revolucioni. Në këtë rast shoqëria kthehet në gjendjen e saj natyrore dhe që në fillim ndërton një qeveri të re, të aftë për t’i mbrojtur të drejtat themelore.

Si zbatohen këto qasje në Ballkanin Perëndimor në vitet e fundit?

Që kur republikani Donald Trump u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara në 2016, takimi i tij i parë ka qenë me Henry Kissinger-in, një teoricien, autor dhe ish-Sekretar i Shtetit. Nga këtu analistët me përvojë nuhatën se doktrina e re e Trump-it në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk do të ndryshojë shumë nga programi i tij zgjedhor, i titulluar “Amerika e para”. Kissinger-i është një përkrahës i mirënjohur i real-politikës (politika reale), i cili nuk beson se institucionet ndërkombëtare nuk mund të jenë garant i paqes dhe sigurisë globale. Politika reale (real-politika) u referohet politikave që nënkuptojnë pragmatizëm, d.m.th. vlerësimin e qasjeve dhe teorive politike përmes prizmit të rezultateve që mund të japin. Realizmi, si teori politike, nga ana tjetër, është një filozofi që trajton marrëdhëniet në politikën ndërkombëtare. Kissinger-i beson se konflikti mund të jetë një mjet racional nëse është mënyra e vetme për t’i mbrojtur interesat shtetërore, ndërsa një baraspeshim i fuqisë dhe një rend real botëror është mënyra e vetme për ta ruajtur paqen globale. Ai shërbeu si Sekretar i Shtetit nga viti 1969 deri më 1977 dhe konsiderohet si një nga më të suksesshmit në historinë e këtij vendi. Ai është i njohur për relaksimin e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Në veprën e tij të fundit, “Rendi Botëror”, botuar në 2013, Kissinger-i beson se bota bipolare përfundoi me Luftën e Ftohtë, ndërsa që nga viti 2008 bota ka filluar të bëhet shumëpolare. Kissinger-i beson se jo çdo qytetërim mund të ndajë të njëjtat vlera si Perëndimi, duke iu referuar pamundësisë së bashkëjetesës së demokracisë me shtetet islamike. Sipas tij, rendi i ri botëror duhet të bazohet në disa fuqi rajonale, të cilat do të merrnin përgjegjësinë për ta ruajtur sigurinë botërore. Pra, duke punuar në doktrinën e tij të re, Trump-i i ka tronditur marrëdhëniet transnacionale me BE-në pasi e ka parë NATO-n si një strukturë sigurie që përfitojnë të gjithë anëtarët, por paguhet nga Shtetet e Bashkuara. Duke vënë interesat e shtetit amerikan para vlerave të ndërtuara nga liberalët dhe idealet konstruktiviste, Trump-i kërkoi të zhvlerësonte institucionet ndërkombëtare (OKB, NATO, OBSH…), duke u tërhequr nga traktatet ndërkombëtare, si dhe duke imponuar zgjidhje të njëanshme.

Politikanët e spektrit të djathtë (konservator) politik në përgjithësi karakterizohen me një qasje realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare ose në realizmin si një teori politike. Veprimet e tyre në arenën politike ndërkombëtare janë kryesisht real-politike. Por, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është një rregull i përhershëm. Gjatë presidencës së Trump-it, kancelarja gjermane Angela Merkel u pa si një politikan botëror që e mbante gjallë multilateralizmin dhe vlerat e demokracisë liberale. Merkeli është presidente në largim e CDU-së, një parti e krahut të djathtë sipas ideologjisë së saj.

Nga ana tjetër, vendimi për tërheqjen e trupave nga Afganistani deri në fund të gushtit 2021 u mor nga Presidenti i ri amerikan Joe Biden, një politikan që paralajmëroi një qasje realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, deklarata e tij se “misioni Amerikan në Afganistan arriti qëllimin duke eliminuar Osama bin Ladenin, si përgjegjës për sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara Shtetet në 2001” ishte kryekëput realiste, kjo nga fakti se vlerat demokratike, që janë në rrezik të madh nga talebanët, nuk janë marrë parasysh në sjelljen e vendimit për tërheqje. Për më tepër, kjo tërheqje është rezultat i një marrëveshjeje të arritur midis Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve në vitin 2020, sipas së cilës Uashingtoni do t’i tërheqë trupat e tij nga Afganistani me kushtin që talebanët t’i ndërpresin lidhjet me organizatat terroriste. Në atë marrëveshje talebanët nuk janë kushtëzuar me respektimin e sistemit dhe vlerave demokratike që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përpjekur t’i vendosin në Afganistan në 20 vitet e kaluara.

Në Ballkan, ndërkaq, nga vitit 2019 filloi një iniciativë me bazë liberaliste, që i përngjan projektit të Bashkimit Europian (BE). “Ballkani i Hapur” tenton t’i kthejë shtetet e rajonit nga konkurrentë, armiqësorë, mosbesues dhe mosbashkëpunues, në aktorë që e shohin këtë gjeografi si një skenë ku mund të ketë harmoni, paqe të qëndrueshme dhe progres ekonomik.

Në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, në vitet e fundit, liberalizmi ka mbizotëruar si teori. Të dyja vendet, së bashku me Maqedoninë e Veriut, janë pjesë e nismës për krijimin e “Ballkanit të Hapur”, i cili është përplotësues me Procesin e Berlinit të nisur nga Merkeli në 2013, si dhe Procesin e Stabilizim-Asociimit të BE-së. Largimi i Merkelit nga skena politike e ka vënë në pikëpyetje edhe vazhdimin e Procesit të Berlinit. Aq më tepër kur për shumë projekte rajonale nuk ka pasur konsensus midis gjashtë shteteve që e përbëjnë Ballkanin Perëndimor. Duke marrë parasysh mundësitë e bashkimit të kapaciteteve të Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi, të cilat janë një treg me jo më shumë se 18 milionë banorë, Tirana dhe Beogradi janë të bindur se ky projekt do të mundësojë që ky rajon i trazuar të hyjë në një fazë tjetër më paqësore, progresive dhe kuptimplote, ku vendet nuk do të shiheshin si konkurrentë, por si bashkëpunëtorë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Nëse BE-ja është produkti më i suksesshëm i liberalizmit, atëherë Ballkani i Hapur do të ishte një kopje e modelit europian.

Një mbështetje e hapur për këtë projekt erdhi nga dy qendrat e vendosjes ndërkombëtare – Uashingtoni dhe Brukseli. Nëse BE-ja e sheh në këtë projekt vazhdimin e Procesit të Berlinit, SHBA-ja e sheh zbatimin e një pike të Marrëveshjes së Uashingtonit, e cila vitin e kaluar u nënshkrua nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i atëhershëm kosovar Avdullah Hoti. Aty Kosova zotohet se do t’i bashkëngjitet nismës.

Në krahasim me Kosovën, që e ka injoruar krejtësisht nismën, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina kanë deleguar përfaqësues të nivelit më të ulët në takimet ku dominojnë Vuçiqi dhe Rama. Rezervat e tyre janë të dukshme, por nuk janë deklaruar kundër nismës, pasi është e paplotësueshme me integrimin në BE. “Jo”-ja e fuqishme e Kosovës lidhet më shumë me mosnjohjen nga ana e Serbisë, por edhe me rivalitetin me Shqipërinë. Kryeministri Kurti dhe elita politike në Kosovë e shohin këtë iniciativë të dominuar nga Rama dhe Vuçiqi. Në këtë rast Rama duket si një lider i të gjithë shqiptarëve etnik në rajon, njëjtë si Vuçiqi te serbët etnikë.

Dhe, kur jemi te qasja në marrëdhëniet ndërkombëtare: Kosova ka një qasje realiste pasi ka 13 vite që është shtet dhe ende nuk i ka të shëruara plagët nga lufta e vitit 1999, e shkaktuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Në një situatë kur Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet, natyrisht që të mos shihet si një partner bashkëpunimi, por si një armik i mundshëm në një luftë të re. Megjithatë, njohja mund të jetë edhe rezultat i pajtimit, paqëtimit, bashkëpunimit dhe ndërvarësisë ekonomike. Pra, nëpërmjet një qasjeje liberaliste mund të arrihet të bindet që Serbia të njohë Kosovën, madje të kërkojë falje edhe për krimet që forcat e regjimit të Millosheviqit kanë kryer aty. Por, Kosova është larg filozofisë liberaliste, pasi nuk ka arritur ta ndërtojë vetëbesimin e nevojshëm për të qenë një aktor proaktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare ose, në rastin konkret, rajonale. Tentimi i Shqipërisë për ta mbuluar edhe Kosovën i ka përkeqësuar edhe më shumë gjërat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here