2.8 C
Skopje

Xhevat Gjini: Serbia po e kërcënon Kosovën me luftë

Serbia po e kërcënon Kosovën me luftë

(Pakica serbe as nuk po kërcënohet, as nuk është e rrezikuar nga Republika e Kosovës dhe nga populli shqiptar)

Serbia shoviniste, e udhëhequr dhe e «komanduar» nga koka të nxehta e të mbushura me shovinizëm e urrejtje kundër popullit shqiptar dhe Republikës së Kosovës, po kërcënon me luftë!? Në vend se të respektonte të drejtën e popullit shqiptar për jetë të pavarur dhe të lirë dhe në vend se të respektonte sovranitetin e Republikës së Kosovës për të administruar dhe kontrolluar territorin dhe kufijtë e saj, Serbia po vringëllon armët duke kërcënuar me tanke, helikopterë, avionë e artileri të rëndë shtetin fqinj, Kosovën shqiptare !? Duket që po harron Serbia se lufta me Kosovën është luftë me kombin shqiptar në rajon dhe në botë… Dhe se lufta me kombin shqiptar do të shndërrohej në luftë ballkanike dhe se flakët e kësaj lufte do të digjnin edhe paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit të vjetër… Ideologjia shoviniste dhe hegjemoniste e miteve serbe mund ta shpie Beogradin dhe krerët e Serbisë në ndonjë aventurë me pasoja katastrofale, në radhë të parë, për vetë Serbinë dhe për rajonin. Nga një aventurë e tillë dhe nga aventurierë si krerët e Serbisë nuk do të fitonte asgjë populli serb. Nuk do të fitonte as pakica serbe në Kosovë. Përkundrazi!

I gjithë angazhimi politik e shtetëror i Serbisë kundër Kosovës dhe popullit të saj shqiptar është bër e po bëhet nën petkun e “mbrojtjes së pakicës serbe dhe të faltoreve ortodokse”!? Është e ditur dhe e njohur nga e kaluara dhe nga e tashmja se pakica serbe në çdo kohë ka jetuar në fqinjësi të mirë me shqiptarët. As në kohën e turkut dhe as më vonë, në kohën e Jugoserbisë (të krajlit e të Tito – Rankoviçit…), pakica serbe nuk ka qenë e rrezikuar dhe as e kërcënuar nga populli shqiptar. Madje, kjo pakicë edhe në rrethana trazirash, konfliktesh e luftërash është trajtuar dhe është mbrojtur nga fqinjët e saj shqiptarë. Fakt është që individë dhe grupe të kësaj pakice janë rekrutuar dhe janë përdorur nga shteti serb kundër fqinjëve të tyre shqiptarë dhe kundër popullit shqiptar… E megjithatë, shqiptarët asnjëherë nuk janë hakmarrë ndaj kësaj pakice. Edhe gjatë luftës së fundit shqiptaro – serbe (për fajin e shtetit serb…), kur shteti serb kishte rekrutuar numër të madh nga pakica serbe, UÇK – ja dhe populli shqiptar u treguan të matur dhe nuk e humbën arsyen njerëzore, por e morën në mbrojtje pakicën serbe.

Fakt është që edhe faltoret ortodokse “serbe” ishin bër strehë dhe qerdhe e nacionalizmit dhe shovinizmit serb, kurse kleri i tyre nxitës dhe predikues i urrejtjes, i krimit dhe i gjenocidit ndaj popullit shqiptar… Por, UÇK – ja dhe shqiptarët nuk u sulën mbi faltoret e pakicës serbe, sepse e kishin të qartë se fajtore ishte Serbia dhe shteti i saj, që edhe kishën e fenë i përdor për t’i mbushur besimtarët dhe popullin e saj me urrejtje dhe shovinizëm kundër shqiptarëve!

Edhe pas luftës populli shqiptar, forcat e tij politike dhe institucionet në Kosovë treguan “mirëkuptim” dhe tolerancë ndaj pakicës serbe në Kosovë, duke e trajtuar dhe duke i garantuar të gjitha të drejtat dhe liritë, madje duke e “shpërblyer” edhe me super të drejta si asnjë pakicë në botë! Përdorimi i disa individëve dhe grupeve të rekrutuara nga Serbia kundër Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj edhe këto ditë provon më së miri se pakica serbe në Kosovë nuk kërcënohet dhe nuk rrezikohet nga shteti i Kosovës dhe nga populli shqiptar, por nga Serbia që po i përdor “mish për top”! Partitë politike dhe udhëheqësit e kësaj pakice duhet të jenë të arsyeshëm dhe t’ua shpjegojnë njerëzve të tyre se nuk po kërcënohen dhe as po rrezikohen nga Republika e Kosovës, por nga Republika e Serbisë, e cila po kërkon t’i përdorë kundër sigurisë dhe stabilitetit të shtetit të tyre, Kosovës, dhe fqinjve shqiptarë! Mitet e shpikura për Kosovën e imagjinuar nga shovinizmi dhe hegjemonizmi serb nuk do të duhej t’ua errësonin sytë dhe mendjen serbëve në Kosovë dhe as popullit serb në Serbi. Mjaft gjak (kryesisht shqiptar, por edhe serb) është derdhur me ato mite dhe ëndërra për Kosovën “djep i Serbisë”, kur ajo ishte dhe është shqiptare. Mjaft territore shqiptare janë spastruar nga planet dhe programet ekspansioniste e shoviniste të Serbisë. Krahina të tëra shqiptare janë mbytur në gjakun e banorëve të tyre autokton nga ushtritë barbare serbe. Edhe sot, atyre shqiptarëve e krahinave që mbetën të pushtuara nga Serbia (një pjesë e Sanxhakut dhe Kosova Lindore…), u mohohet çdo liri dhe e drejtë politike, kombëtare e demokratike! Këmbëngulja e Serbisë së Vuçiçit për t’u rikthyer në Kosovën e mbetur, pas gjithë atyre spastrimeve e pas gjithë atij gjenocidi, ose për t’i shkëputur edhe një pjesë të territorit, nuk duhet të tolerohet nga Republika e Kosovës dhe nga populli i saj, nga shteti ynë AMË dhe nga kombi shqiptar. Serbia duhet ta kuptojë se koha e hegjemonizmit të saj ka perënduar dhe duhet të mbyllet në arkivat e saj. Me popujt fqinj mund të jetohet vetëm në paqe e marrëdhënie normale ndërshtetërore…

Heshtja e botës dhe “lutjet” e kohëpaskohëshme pë “vetëpërmbajtje” mund ta trimërojnë dhe mund ta mashtrojnë Sebinë dhe krerët e saj për ndonjë aventurë!? Prandaj, bota (qendrat e vendosjes) duhet të jenë më të “qarta” dhe më të prera në deklaratat, kërkesat dhe qëndrimet e tyre. Kujtoj që është koha që edhe Tirana zyrtare ta thotë qartë dhe prerë qëndrimin e saj në këtë situatë të mbushur me kërcënime dhe rreziqe pë lirinë, pavarësinë, integritetin territorial dhe paqen e sigurinë kombëtare e rajonale. Edhe ata që i konsiderojmë miq të përhershëm e të përkohshëm kanë “hisen” e tyre në këtë situatë! Por, mbi të gjitha institucionet shtetërore të shteteve tona, partitë politike dhe kombi shqiptar duhet të jetë unik dhe i pathyeshëm karshi kërcënimeve dhe pretendimeve të Serbisë… Dorëzimi dhe tërheqja nga e drejta për ta administruar dhe kontrolluar territorin dhe kufijtë e Republikës së Kosovës do të ishte më shumë se tradhti kombëtare. Do të ishte inkurajim i Serbisë për të provokuar luftë ballkanike…

Marketing

TË FUNDIT

Bekteshi:RMV bën tranzicionin e parë energjetik si shembull për vendet e Ballkanit Perëndimor

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi prezantoi aktivitetet e ndërmarra në fushën e energjetikës në Maqedoninë e Veriut në Mbledhjen e 19-të të Këshillit të...

Besimi: Sistemi tatimor më efikas dhe më i drejtë për rritje të qëndrueshme dhe të përshpejtuar

Ministria e Financave së bashku me Drejtorinë e të Ardhurave Publike vazhdojnë të punojnë në ndërtimin e një sistemi tatimor më efikas dhe më...

S’kanë të ndalur ofendimet e Aleancës ndaj Alternativës

Deri pak kohë më parë në koalicion në frontin e përbashkët opozitarë ndërsa tani situata ka ndryshuar mes dy partive shqiptare Alternativës dhe Aleancës...

Grubi – Geer: Kontesti me Bullgarinë të mbyllet sa më shpejtë, koha për datë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot ka pritur në takim ambasadorin e BE-së në...

Grubi – Kyuchyuk: Falenderim ndaj Bullgarisë për profesionalizmin dhe menaxhimin e situatës

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi i shoqëruar nga eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk, ministri i Ekonomisë,...