Maqedonia e Veriut integrohet plotësisht në strukturat e NATO-s

0
209

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, Vasko Gjurçinovski dhe komandanti i Komandës Aleate të NATO-s për Transformim, gjenerali Philip Lavigne, nënshkruan deklaratën e përbashkët për integrimin ushtarak.

Me një ceremoni solemne, në kabinetin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut është nënshkruar deklarata e përbashkët për integrimin e vendit në strukturat e NATO-s, me çka është përmbyllur procesi i integrimit ushtarak në Aleancë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Deklaratën e përbashkët e nënshkruan shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, Vasko Gjurçinovski dhe komandanti i Komandës Aleate të NATO-s për Transformim, gjenerali Philip Lavigne.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se në fjalimin e tij në ceremoni, presidenti Stevo Pendarovski theksoi se nënshkrimi i deklaratës tregon se vendi ka arritur rezultate të rëndësishme pas vetëm një viti e gjysmë anëtarësim dhe ka konfirmuar besueshmërinë. Sipas Pendarovskit, përfundimi i këtij procesi është sukses për Aleancën në tërësi.

“Ne jemi zotuar që të arrijmë pragun që të ndajmë dy për qind të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2024. Edhe pse po ndodhin gjëra të paparashikueshme, siç janë pandemia apo kriza energjetike që bëjnë presion për një grup të ndryshëm prioritetesh buxhetore, mbrojtja dhe siguria janë baza për funksionimin e të gjithë sektorëve të tjerë shoqërorë”, tha Pendarovski.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, Vasko Gjurçinovski, tha se akti i sotëm pasqyron punën e palodhur dhe të përkushtuar tridhjetëvjeçare në të gjitha segmenteve të shtetit dhe ushtrisë.

Komandanti i Komandës Aleate të NATO-s për Transformim, gjenerali Philip Lavigne, theksoi se përfundimi i procesit integrues të Maqedonisë së Veriut në NATO është vërtet një sukses i madh jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Aleancën.

“Nënshkrimi i kësaj deklarate të përbashkët nuk është vetëm një përcaktues i rëndësishëm për Forcat e Armatosura të Maqedonisë së Veriut, por gjithashtu konfirmon fuqinë e Maqedonisë së Veriut si një anëtare e besueshme dhe e rëndësishme e Aleancës, një shtet anëtar që ka vullnetin dhe aftësinë për të përshtatur strukturën dhe forcat e saj ndaj nevojave dhe kërkesave të NATO-s”, tha Lavigne.

Fjalim kishte edhe ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, e cila uroi të gjithë ata që kanë dhënë mundin e tyre duke realizuar proceset reformuese, në mënyrë që të arrihet deri te nënshkrimi i deklaratës.

Kujtojmë se më 27 mars të vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s pas përfundimit të të gjitha proceseve zyrtare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here