26.8 C
Skopje

Grubi: Refuzimet dhe mospajtimet për Ballkanin e Hapur të bëhen me pjesëmarrje në tavolinë

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi thotë se vendi nuk ka kohë për aventura politike dhe përqendrimi duhet të jetë në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë çka pastaj e zhbllokon rrugën evropiane. Grubi shprehet optimist se në një afat të shkurtër kohor Maqedonia do të mund të hap negociatat me Bashkimin Evropian, por thotë se për të arritur këtë, vendi duhet të ketë stabilitet institucional duke kundërshtuar këtu mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Në një intervistë për KosovaPress, Grubi ndër të tjera flet edhe për pozitën që do ta ketë BDI në qeverinë e re dhe për nismën rajonale “Open Ballkan”.

Duke folur për nismën rajonale “Open Ballkan”, në të cilën aktualisht bëjnë pjesë vetëm Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, Grubi thotë se të gjitha mospajtimet dhe refuzimet duhet të diskutohen në tavolinë.

“Secili prej këtyre gjashtë vendeve, mendimin të cilin e ka në kuadër të forumit në tavolinë, qoftë edhe mospajtimin më të madh, qoftë edhe refuzimin por të thuhet në tavolinë me të gjitha arsyet të cilat mund t’i kenë. Me sa kam biseduar unë me miqtë tanë në Kosovë, autoritetet, edhe nga qeveria e kaluar edhe nga qeveria aktuale, me shumë refuzimet apo vërejtjet nga Kosova vijnë për nga forma për arsye se lindja e kësaj ideje të minishengenit fillimisht apo të Ballkanit të Hapur erdhi nga ai takimi në Nish pa përfshirjen e të gjithë të tjerëve dhe pa konsultimin e të gjithë të tjerëve. Por insistimi ynë, nëse ju kujtohet qysh atëherë, ka qenë që kjo nismë mund të ketë përkrahjen edhe tonën vetëm nëse e ka përkrahjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që edhe ndodhi, si dhe me përfshirjen e barabartë të Kosovës si shtet i pavarur, i njohur nga të gjithë ne dhe i barabartë në tavolinën e bisedimeve për Ballkanin e Hapur”, thotë Grubi.

Marketing