23.8 C
Skopje

Ministri Bekim Sali: Pandemia drejtë zbutjes

Vetëm tre ditë pasi u regjistruan 2332 infeksione të reja me Covid-19, ministri i ri i Shëndetësisë Bekim Sali thotë se pandemia në vendin tonë po zbehet pasi shifrat janë në rënie këto dy ditët e fundit. Ai dje pas marrjes së dozës së tretë të vaksinës Pfizer tha se nuk ka pasur nevojë që gjysmë vjetori i dytë të fillojë me mësime online, transmeton Portalb.mk.

“Sipas të dhënave që marrim çdo ditë nga pandemia në vendin tonë, flas që vendi ynë tregon shenja qetësimi. Çdo ditë kemi zbutje, pra ulje të numrit të të infektuarve dhe të pacientëve të shtruar. Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë kanë përvojë me pandemitë dhe epidemitë. Ne monitorojmë situatën epidemiologjike te fëmijët. Në dijeninë tonë nuk do të ketë nevojë për mësim online në këtë kohë, në këtë periudhë, sepse situata epidemiologjike ndryshon çdo javë. Në bazë të këtyre të dhënave marrim vendime të reja dhe politika të reja, që do të thotë se nga 1 shkurti do të fillojë prania fizike në shkolla dhe ne si ministri do të marrim masa parandaluese me testime që do të bëhen në mënyrë të rastësishme tek fëmijët dhe në varësi të rajoni, qyteti, bashkia, nëse shfaqet një epidemi e re e mundshme tek fëmijët, do të marrim masa”, tha ministri Sali.

Ai gjithashtu bëri të ditur se nuk ka nevojë për masa të reja kufizuese sepse në dy ditët e fundit numri i të infektuarve rishtazi është në rënie, ndonëse edhe më parë kemi pasur rritje.

Përkundër vërejtjeve të shumta të opinionit për mostransparencë, ministri vlerëson se Komisioni për Sëmundjet Infektive është transparent sepse të gjitha vendimet ishin në dispozicion të publikut dhe ritheksoi se planifikon ta zgjerojë atë me përfaqësues nga të gjitha institucionet.

Ndërkaq, Qeveria mori vendim me të cilin numri i ditëve mësimore në vitin shkollor 2021/2022 në shkollat ​​fillore dhe të mesme në kushte emergjente të jetë 172 ditë mësimore, që do të thotë se pushimi dimëror i nxënësve do të zgjasë deri me një shkurt, dhe viti shkollor do të përfundojë më 10 qershor.

Pas këtij vendimi do të ketë përshtatje të planprogrameve në mënyrë që të plotësohet data 10 qershor, si afat i fundit për përfundimin e vitit shkollor, thanë nga Qeveria e RMV-së.

Marketing