28.8 C
Skopje

Testimi për Kovid-19 është bërë luks, kërkohet ulje e çmimit dhe rritje e kapaciteteve për testim

Nuk ka termin për testim falas për kovid-19 në institucionet shëndetësore shtetërore, ndërsa nëse nuk keni 1000 denarë, ju mbetet vetëm një gjë – të blini vet test në barnatore.

“Kjo është çështje të cilën gjithashtu duhet ta adresojmë. Ndonjëherë e dini, qytetarët, që është gjë normale, secili qytetar kur ndjen se nuk është mirë ose kur ka qenë në kontakt me ndonjë person të infektuar, menjëherë vet blen test, të gjithë e kemi bërë këtë, për shembull nuk presim që të shkojmë te mjeku amë ose në institucion publik shëndetësor, është e natyrshme në kushte të tilla të presionit të pandemisë”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski teksa foli për këtë problematikë.

Kryeministri Kovacevski shton se do të bisedojë me MSH për rritjen e kapaciteteve për testim në shëndetin publik.

“Ne kemi iniciuar takime me të gjithë palët që ndikojnë në formimin e çmimit final të një shërbimi dhe presim që në mënyrë pozitive të reflektohet nga ana e tyre, të kenë mirëkuptim dhe gatishmëri që të ulin çmimet. Ka më shumë palë në formimin e çmimit, siç janë importuesit, kompanitë farmaceutike, laboratorit dhe Fondi Shëndetësor. Jemi në kontakt me Fondin shëndetësor dhe përmes tyre komunikojmë me laboratorit dhe importuesit. Shpresoj se do të kemi reflektim pozitiv nga ana e tyre”, u shpreh Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Kovaçevski gjithashtu tha se të rinjtë janë ata që gjatë pushimeve vjetore krijojnë valën e numrit të madh të infektimeve.

“Gjithashtu numrat konfirmojnë edhe trendë të caktuara që po na përsëriten në pushime të caktuara, në kohë të pushimeve vjetore, kështu që shihet edhe sipas numrit të të infektuarve sipas grupmoshës për shkak se në mënyrë të detajuar i kemi shikuar me profesorin Karaxhovski dhe një pjesë të kolegëve të tij, grafikat për numrin e të infektuarve dhe vërehet se te të rinjtë ka nivel më të lartë të infektimit”, shton Kovaçevski.

Ministri i ri i shëndetësisë solli ndryshime vetëm për periudhën e izolimit, e cila u zvogëlua nga 10 në 7 ditë, nëse personi nuk ka simptome. / TV21

Marketing