33.8 C
Skopje

Në Kuvend u debatua për propozim ligjin për inspektimin e mjedisit jetësor

Së shpejti inspektorët e mjedisit jetësorë do të kenë më shumë kompetenca gjatë kryerjes së punës.

Përmes harmonizimit të ligjit për mbikëqyrje inspektuese në përputhje me rekomandimet e BE-së, inspektorëve u mundësohet që të bëjnë kontrolle më të shpeshta të jashtëzakonshme, pa pasur nevojë të paralajmërojnë fillimisht.

Në ndryshimet e propozuara gjithashtu parashikohet që inspektorët  gjatë inspektimeve të subjekteve të caktuara të mos jenë të kufizuar se ku dhe çfarë mund të kontrollojnë. Ministri i Mjedisit, Naser Nuredini, tha se përmes këtij ligji do të fuqizohet bashkëpunimi mes inspektorëve në nivel qendror dhe lokal.

“Është e rëndësishme sepse me këtë ligj ne jo vetëm që bëjmë harmonizimin me direktivat e Bashkimit Evropian, por në të njëjtën kohë ne bëjmë një koordinim mes pushtetit lokal dhe pushtetit qendror, pra inspektorëve lokal dhe atyre qendror. Këtu nuk ka të bëjë me politikë, ky është standard jetësor”, tha Naser Nuredini- Ministër i Mjedisit Jetësor.

Një nga kritikat që erdhi nga deputetja e opozitës, Gordana Siljanovska, ishte për implikimet financiare të këtij ligji. Sipas saj, zbatimi i ligjit do të shkaktojë implikime financiare, edhe pse në draft propozim nuk thuhet diçka e tillë.

“Mjafton të shohim dispozitën ku thuhet se do të duhet të ketë të paktën nga një inspektor, ndërsa këtë nuk e kanë aktualisht pothuajse 50% e komunave në vend. Neve na duhet tani qasje sistemore e koordinuar, nacional, lokal dhe rajonal, për të përmbyllur se do të kemi nevojë për mjetet”, u shpreh Gordana Siljanovska- VMRO-DPMNE.

Ligji i cili mban yllin e Bashkimit Evropian ishte sot në lexim të parë në Komisionin për Çështje Evropiane. Siljanovska sugjeroi që ky ligj duhet të jetë për diskutim edhe në Komisionin për Ekologji. Sipas saj në debat duhet të përfshihen edhe aktivistët e organizatave joqeveritare.

Marketing