23.8 C
Skopje

Nesër fluturimi i parë Shkup – Sofje

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nesër në ora 09.40 do të aterojë aeroplani nga Sofja i linjës ajrore “Gullivair”, i cili do të realizojë fluturimin e parë të linjës Shkup – Sofje.

Një delegacion maqedonas dhe bullgar i kryesuar nga ministri i transportit të vendit tonë Bllagoj Boçvarski dhe homologu i tij bullgar, si dhe operatorë turistikë nga të dy vendet, do të mbërrijë në Shkup me aeroplan. Aktivitetet do të vazhdojnë me një takim në Klubin e deputetëve ku duhet të shqyrtohen mundësitë dhe të përcaktohen detajet për trafikun e ardhshëm të linjës ajrore, i cili sipas njoftimeve do të jetë i rregullt nga muaji i ardhshëm. Në të njëjtën kohë, duhet të përcaktohen paketa turistike që do të ndihmojnë në rritjen e numrit të vizitave të ndërsjellta të turistëve nga të dy vendet.

Ndryshe, sot në Sofje takohet grupi punues ndërministror për bashkëpunim në fushën e infrastrukturës, transportit dhe komunikimit. Përveç Boçvarskit dhe Shabevit, marrin pjesë edhe ministri i vetëqeverisjes lokale Goran Milevski, si dhe zëvendëskryeministri dhe ministri bullgar për zhvillim rajonal dhe punë publike Grozdan Karaxhov dhe ministri i Energjetikës Aleksandar Nikolov. Në takim u diskutuan çështje me interes të përbashkët në fushën e trafikut rrugor, lidhjes së transportit dhe dixhitalizimit.

Lidhja ajrore mes dy kryeqyteteve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është hapi i parë konkret i bashkëpunimit të paralajmëruar pas takimit të parë të kryeministrave Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov, i cili u mbajt më 18 janar të këtij viti në Shkup. Një javë më vonë, më 25 janar, të dy qeveritë në Sofje mbajtën një seancë të përbashkët dhe nënshkruan dy dokumente për të forcuar lidhjen infrastrukturore midis dy vendeve, linjën ajrore direkte Shkup-Sofje dhe Korridorin Hekurudhor 8.

Marketing