23.8 C
Skopje

PËRVJETORI I TRETË I AKSIDENTIT NË LLASKARCË

TË MBIJETUARIT: KJO ËSHTË DITËLINDJA JONË E DYTË

Për të mbijetuarit ditëlindje e dytë, por tragjedi për ata që humbën jetën. Të mbijetuarit e aksidentit me autobus në Llaskarcë nuk e dijnë nëse sot, në përvjetorin e tretë të aksidentit duhet të gëzohen që kanë mbijetuar apo të pikëllohen për bashkëudhëtarët e tyre që nuk e përfunduan udhëtimin e tyre të zakonshëm që e bënin vite me rradhë bashkë. Por për një gjë ata janë të sigurtë, këtë datë nuk do ta harrojnë kurr.

Mersel Neziri, I mbijetuar në tragjedinë e Llaskarcës
Faleminderit shumë për hapin që e mirrni, domethënë jo ju por edhe çdokush tjetër, të na rikujtoni domethënë ditëlindjen tonë të dytë edhe atë tragjedinë e madhe, kjo është për neve që kemi mbijetu, por një tragjedi shumë e madhe për atë që I humbëm njerëzit, se ne krejt ishim një familje shumë e madhe, na përkujton Llaskarcën, Llaskarcën që u harru qe tre vjet, por nuk është vetëm Llaskarca, janë edhe shumë sende tjera, por neve që na djeg më tepër është Llaskarca, sot nuk e dijmë a të gëzohemi a të pikëllohemi, por është një ditë që do ta mbajmë mend tërë jetën.

Kjo tragjedi ka ndryshuar jetën e të gjithë të mbijetuarve, ku përveç boshllëkut nga humbja e miqve të tyre, ata akoma shoqërohen nga trauma e shkaktuar nga ky aksident.

Lulzim Dalipi, I mbijetuar në tragjedinë e Llaskarcës
Që nga ajo ditë domethënë deri më sot, nuk kam hyp asnjëherë në autobus, normal nga ajo fatkeqësi, nga ajo tragjedi, dua të them se kam marr trauma dhe nuk kam pas guxim që të hypi më në autobus.. Kam qenë me një karriga me të ndjerin, një prej të ndjerëve, mirëpo nuk mbaj asgjë mend, kur është drejtu autobusi për mi thy mburojat e autostradës normalisht unë jam kapur për ato dhe nuk mbaj më mend asgjë… Normalisht që jam tronditur tej mase, nga shkaku se kur ka ndodhur aksidenti unë kam fluturuar nga xhami I parmë I autobusit, kam dal nga xhami I përparmë I autobusit dhe jam përplas në asfallt, dhe normalisht në ato momente kam qenë pa vetëdije, pastaj kur kam ardh në vetëdije nuk kam pas mundësi të lëviz, kam qenë gatise I paralizuar, kam lëndime shumë të rënda trupore, boshtin kurrizorë, unaza të thyera, brinj të thyer, kam pas gjakderdhje të brendshme, kam qenë në gjendje shumë të rëndë…

Të mbijetuarit kërkojnë epilog të drejtë gjyqësor për këtë rast.

Mersel Neziri, I mbijetuar në tragjedinë e Llaskarcës
Një mesazh jo udhëheqësisë, por të gjithë shtetit, faleminderit për krejt që kanë bërë deri më tash….InshaAllah vetëdijësohet jo vetëm populli por edhe udhëheqësia e kryesia, pavarësisht kush si është, se zemra e dikujt është djeg shumë, Zoti mos dhashtë të ju bjerë në zemër të tyre e atëherë ta shohin çfarë don të thotë nëj gjë e tillë.

Lulzim Dalipi, I mbijetuar në tragjedinë e Llaskarcës
Për fat të keq gjyqësori edhe pas tre viteve nuk ka asnjëfarë përfundimi, ne si të prekur të atij rasti, gjithashtu edhe familjarët e të mbijetuarve kërkojmë që gjyqësori të veprojë drejtë dhe të ketë një përfundim, se e dijmë që sot bëhen 3 vite nga aksidenti dhe nuk ka asnjë përfundim.

Më 13 shkurt të vitit 2019, si pasojë e aksidentit tragjik në fshatin Llaskarcë, humbën jetën 16 persona, ndërsa 35 të tjerë kishin lëndime të rënda. Sot, tre vite pas aksidentit, akoma nuk ka epilog të procesit gjyqësor ku akuzohen 6 persona./KlanMacedonia/

 

Marketing