Kushtetuesja vendosi: Meta mban presidencën

0
90

Presidenti i Ilir Meta do të qëndrojë në këtë detyrë deri në fund të mandatit, në 24 korrik 2022. Vulën e vendosi Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit njoftoi mbrëmjen e djeshme se ka rrëzuar kërkesën e parlamentit për shkarkimin e presidentit Meta, pasi në gjykimin e saj nuk ka pasur “shkelje të rënda të kushtetutës”, për të cilat kreu i shtetit mund të largohej nga detyra.

Në njoftim Gjykata Kushtetuese, thotë se “pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e Komisionit Hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure”.

Nga ana e saj Gjykata vlerësoi se “faktet” e paraqitura nga Kuvendi nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës, për të cilat mund të shkarkohet presidenti. Gjykata ka arritur në përfundimin se faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor, faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë, faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike dhe ato të paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

“Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 86, pika 1, dhe nenit 89 të Kushtetutës, nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës”, saktësohet në vendimin e Gjykatës. Neni 86, pika përcakton se “Presidenti…përfaqëson unitetin e popullit”. Ndërsa sipas nenit 89 “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”.

Reagime për shkarkimin

Për presidencën vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i pritur, madje nuk kishte asnjë surprizë. Sipas presidencës ky proces as nuk duhet të kishte filluar. “ZERO SURPRIZË për Presidencën! Kjo çështje as nuk duhej të kishte filluar!”.

Një reagim pas vendimit ka pasur edhe keshilltari ligjor i Metës. Bledi Dervishaj thotë se kushdo që qëndron i palëkundur me të vërtetën, nuk rrëzohet. “Kush qëndron i palëkundur me të vërtetën kurrë nuk rrëzohet. E vërteta na çliron ne, shoqërinë tonë dhe krenon këdo që ecën në të.”

Pretendimet e parlamentit;

Parlamenti pretendonte gjithashtu se presidenti kishte shkelur betimin si kryetar i shtetit, të përcaktuar në nenin 88, pika 3 të Kushtetutës. Por sipas Gjykatës as këtu “nuk ka shkelje të rëndë” pasi “faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës; faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës; faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”.

Po ashtu, sipas Gjykatës “faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”. Neni 94 parashikon që “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”. Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se vendosi “shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Padia e Metës ndaj Kuvendit

Meta njoftoi më 9 shkurt të këtij viti se ka firmosur dhe dorëzuar kallëzimin penal kundër përgjegjësve të Kuvendit për akuzën e falsifikimit të dokumentave që kanë shërbyer si prova në gjykimin e çështjes së shkarkimit të tij në Gjykatë Kushtetuese.  Kallëzimi ka të bëjë me një kopje të urdhrit për thirrjen e seancës së datës 7 maj 2021, të parlamentit, ku iu hap rruga procesit për shkarkimin e Metës. Shkresa e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kur seanca publike për këtë çështje ishte drejt fundit, rezultoi të ketë ndryshime në datë dhe në përmbajtje, nga ajo që është e publikuar dhe sot e kësaj dite në faqen zyrtare të parlamentit. Ky institucion u shpreh sot përmes një deklarate se pretendimet për manipulim apo falsifikim nuk qëndrojnë .“Kjo është një padi shumë e rëndësishme, sepse krimi i falsifikimit, është shumë flagrant. Ndodh për herë të parë në një seancë publike të Gjykatës Kushtetuese, nga Parlamenti i Shqipërisë, në një proces që ndodh për herë të parë në 30 vite, kundër kreut të Shtetit, presidentit të Republikës”, u shpreh Meta.

Si nisën procedurat për shkarkimin e presidentit

Për herë të dytë brenda dy viteve, Partia Socialiste nisi procedurat për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit, pasi Meta i shpalli luftë SHBA dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Kujtojmë se Ilir Meta kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen por nuk e bëri një gjë të tillë pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se do të kthehet në LSI në 2022, kur dhe i përfundon mandati i Presidentit. Nisur nga kjo, mazhoranca e njoftoi menjëherë nismën e saj për ta shkarkuar. Ishte vetë numri dy i PS-së, Taulant Balla i cili i pari konfirmoi një fakt të tillë, duke thënë se “do i bëjnë gati letrat e pensionit”.

Shkarkimi nga Kuvendi

Më 9 qershor 2021 Kuvendi miratoi me 104 vota pro raportin e Komisionit hetimor Parlamentar, i cili propozoi vendimin ekstrem për shkarkimin e Metës. Presidenti Ilir Meta nuk e ka njohur këtë nismë të mazhorancës, madje e cilësuar nul dhe anti kushtetuese. Në seancën e 9 qershorit morën pjesë në total 114 deputetë ku 7 prej tyre mungonin, pjesë e të cilëve ishte Olta Xhaçka, Rudina Hajdari, Fidel Ylli apo edhe Ambra Borova. Nga këto, 104 votuan pro shkarkimit të Metës, 7 votuan kundër si edhe 3 abstenuan. Sipas vendimit të parlamentit Presideti Meta, kishte përcjellë mesazhe përçarëse dhe se kishte marrë anën e opozitës përgjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të shkuar. Shkarkimin e presidentit Partia Socialiste e ka konsideruar si një nevojë për të “çliruar Presidencën nga një pengmarrje”. Kjo kërkesë sipas maxhorancës nuk ka ardhur me qëllim që kjo e fundit të caktojë në krye të presidencës një emër nga radhës e saj.

Nëse do  të shkarkohej Meta do të bëhej Presidenti i parë i shkarkuar ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar.

/abcnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here