Shkrimtari Shpend Topallaj, ndjehet i turpëruar nga bëmat e ushtrisë ruse dhe mosreagimi intelektual, e kthen mirënjohjen “Pushkin”

0
58

Shkrimtari i më shumë se 70 veprave, Shpend Topallaj, në një letër dërguar amabasadorit rus në Tiranë, Mihail Afanasiev, ka bërë të ditur se e kthen mirënjohjen “Pushkin”, të cilin ambasadori I mëhershëm Aleksandër Karpushin, në prezencë të të dërguarit të posaçëm, poetit Vladimir Masallov, ia ka ndarë me motivacionin: “Për bukurinë e fjalës dhe të mendimit”. Këtë ai e ka bërë të ditur në një shkrim më të gjerë botuar në Panorama.al, ku ka sqaruar se këtë e ka bërë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Ai ka përkujtuar se ka qenë një lloj propagatori I letërsisë dhe kulturës ruse, duke organizuar një sërë veprimtarish kushtuar figurave të shquara dhe ngjarjeve të rëndësishme të historisë së popullit rus, me pjesëmarrjen e ambasadorëve të radhës.

Topallaj midis tjerash ka shkruar:

”Kisha të drejtë, pasi veprën e pavdekshme të Pushkinit, këtij “bardi shpirtndezur” siç e kishte quajtur Derzhavini, në vendin tonë e njihte i madh e i vogël. Vargjet e tij: “Lirisë i thura himn në shekullin e ashpër”, “Mbi frone dridhuni tiranë/Me shpirtin djallëzor në gji/Dhe ti ngri krye anembanë / Me burrëri, o robëri!” apo “Ne jemi dy zogj, pa liri s`rrojmë dot! / Mbi male, vëlla, të vërsulemi tok,/mbi detet e kaltër, të çlirët si lot. / Ku era dhe unë baresim nga mot!”, mbeten aktuale edhe sot e kësaj dite.

Por, fatkeqësisht, ngjarjet tronditëse të kohëve të fundit, ku ajo ushtria që dikur kishte larë me gjak heronjsh fushat e pafund nga Sheshi i Kuq i Moskës deri në Portat e Brandenburgut në Berlin, kundër hordhive barbare hitleriane, tani iu vërsul me zjarr e me hekur një vendi e populli paqësor, duke vrarë pa dallim në mënyrën më kriminale njerëz të pafajshëm, deri dhe fëmijë. Asnjë arsye nuk i përligj këto veprime barbare, kundër atij vendi që vetëm kolektivizimi stalinist i shkaktoi shtatë milion viktima dhe pushtimi hitlerian gjashtë milionë të tjerë. Kohët moderne kërkojnë sjellje moderne, të mençura, politike e diplomatike, ku mbizotëron logjika se njeriu, pra edhe një i vetëm është boshti i botës siç shprehej A. Çehovi.”

Ambasadorit rus ia përkujton fjalët e humanistit të Rilindjes evropiane Françesko Petrarka (Francesco Petrarca): “Nuk ka liri më të çmuar se liria e gjykimit. E lakmoj ta kem për veten, por pa ua hequr të tjerëve”. Ju duhet ta dini se edhe në Greqinë e Lashtë, Perëndia e Luftës, Aresi ishte më pak i respektuari. Vetëm romakët agresorë, ata që kërkonin të krijonin perandori, i dhanë atij rëndësi, duke e bërë sheshin e Marsit, vendin ku legjionarët vringëllinin armët para se të nisnin betejat për pushtime”, duke shtuar kontekstin e tashëm kohor: “Dhe ja tani: qeveria juaj si Hermesi mitologjik e zgjoi Perëndinë e Luftës për të sjellë sherre, vrasje e shkatërrime, sikur të mos mjaftonin ato të deritanishmet. Ju jeni një popull që ndofta më shumë se të tjerët keni vuajtur nga lufta dhe keni bërë sakrifica të panumërta për të mbrojtur atdheun tuaj. Sikur të ngriheshin nga varri dëshmorët tuaj, kam bindjen se do thërrisnin me gjithë forcën e shpirtit të tyre: “Ndaloni, se e keni gabim! Me këto që po bëni, ta dini se historia do të na dënojë. Ju po dëmtoni edhe vetë Rusinë tonë, dhe a nuk u dhimbsen edhe djemtë tanë që po japin jetën për teka diktatorësh. Mos e harroni Hitlerin!”.

Ai në fund i shkruan ambasadorit rus: ”Duke qenë se jeni përfaqësuesi zyrtar i atij vendi, ku nuk shoh asnjë reagim nga ana e intelektualëve dhe sidomos shkrimtarëve, për të dënuar çmendurinë e qeverisë tuaj, edhe kur popujt po kërcënohen me përdorimin e armëve bërthamore, pra me zhdukjen e njerëzimit, çka më bën të ndihem i turpëruar nga heshtja e tyre miratuese, jam i detyruar t’u bëj me dije se çmimin “Pushkin” që dikur krenohesha, ta kthej mbrapsht. Kjo le të jetë edhe shprehje e solidaritetit me rezistencën e popullit ukrainas dhe masat e përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar. Po ashtu, me këtë gjest mendoj se do të jem më i nderuar si njeri dhe si shkrimtar, pasi e kam të qartë fundin e kësaj aventure kaq të rrezikshme, se fundja do të ndodhë ajo që thoshte Shileri se “Historia botërore është gjyqi botëror”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here