Shkup, 11 Mars – Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi konsideron se prej të hënës çmimet e derivateve të naftës do të ulen.
“Mund të jetë pak më shtrenjtë se në Serbi, prej të tjerëve nuk besoj se është më i shtrenjtë edhe dizeli. Sot në Kuvend sipas të gjitha gjasave do të duhej të miratohej ligji për TVSH dhe ligji për akciza, ndërsa duke i pasur parasysh edhe çmimet e djeshme të bursës dhe çmimit para dy ditëve, pres që sipas analizave prej nesër, ndërsa është shumë e rëndësishme të theksohet se tashmë nga e hëna do të kemi jo çmime më të lira në rajon, por çmime dukshëm më të lira”, theksoi Bekteshi, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.
Në lidhje me amendamentet e parashtruara nga VMRO-DPMNE, ministri theksoi se secili propozim do të duhej të shqyrtohej, por edhe se duhet të shpjegohet se pse diçka propozohet, si do të ishin implikimet fiskale dhe si ato do të ndikonte ajo.
Ai e porositi partinë opozitare se tani nuk është koha për politikbërje dhe gara.
“Tani ne nuk do të bëjmë gara se kush do të dalë në televizion dhe do të thotë se sa duhet të jetë ulja. Ja për shembull, ata kanë thënë 50 për qind, tani të dalin deputetë ose parti e cila është pjesë e shumicës të thotë 100 për qind. Kjo nuk është kohë e garave. Kjo nuk është kohë për politikbërje. Kjo është kohë e marrjes së vendimeve të qëndrueshme të cilat do të jenë në interes të konsumatorëve, në interes të qytetarëve, me qëllim që të ndikojmë ndaj uljes së çmimeve. E para dhe themelorja, kur heqim dorë nga akcizat dhe nga TVSH-ja, ne nuk heqim dorë nga Buxheti i shtetit. Ai buxhet është buxhet i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe ato para të cilat duhet të jenë në anën e të hyrave të Buxhetit të cilat janë të qytetarëve ne i qojmë te qytetarët që të mos ketë goditje të çmimeve për ta”, potencoi Bekteshi.