23.8 C
Skopje

Konspiracionisti Alfred Cako ka dale krejtësisht prej “shinave!? Sipas tij, Zelenski e përdor popullin e vet si “mburojë të gjallë” para forcave ruse!

Kur të lexosh se ka shqiptarë të cilët përkrahin Rusinë në luftë kundër Ukrainës, pyetja e parë është vallë është e mundur kjo?!

Episodi me një imam të Shkupit, dhe thënia e tij e famshme “një zullumqari të vogël i vjen hakut një zullumqar i madh” mund të jetë vetëm një rast “incidental” nga një klerik,  i cili nga kaçubja nuk don ta shohë malin. Ose më saktë, është edhe një episod ku imami shikon pa vizion dhe me vizurë fetare, por të privuar nga konteksti ynë i ngushtë shqiptar për çka jemi më të interesuar se çfarëdo këndvështrimi tjetër. Ai agresionin rus e personalizoi në fytyrën e një presidenti çifut ukrainas, i cili qenka kundër palestinezëve, ndërkaq harroi se një shtet dhe një popull i tërë po sakrifikohen nga një pushtues agresiv dhe i dalë jashtë kontrollit dhe se në këtë kontekst fakti i kombësisë së presidentit është fakt tejet i parëndësishëm. Harroi kleriku ynë se ai “zullumqari i madh(Putini) që i del hakut zullumqarit të vogël(Zelenskit)”, është po ai i cili përkrah një zullumqar të vogël në fqinjësinë tonë(Serbinë), që njësoj siç bëri zullumqari i madh me Ukrainën, ky i vogli mezi pret ta gllabërojë Kosovën. E Kosova, imam i krisur, është vend mysliman dhe vëllezërit tanë për të cilët duhet të na dhembë shumë më tepër se çka mendon Zelenski për palestinezët, të cilët në do protesta e përkrahnin Serbinë kundrejt Kosovës!

Por, s’janë vetëm klerikët miopë që i duartrokasin Putinit. Hiq më larg se të dielën, konspiracionisti më i madh shqiptar, Alfred Cako, të cilit i jepet hapësirë e gjerë mediale për nebulozat e tij dhe që sigurisht i ka në shpirt shumë viktima që e kanë përcjellë logjikën e tij gjatë pandemisë, na doli me do teza të tij antinjerëzore.

Ai, ndryshe nga ç’mendon bota, nuk e sheh Zelenskin si ndonjëfarë heroi që e ka tubuar popullin rreth vetes në luftë kundër okupatorit, por ai e quajti atë shkatërrimtar të Ukrainës dhe popullit ukrainas dhe e akuzoi se e ka përdorë popullin e vet si mburojë para forcave ruse, të cilat sikur nuk i shkon goja t’i quajë agresore. Ai madje për dështimin e konvojit humanitar nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, e akuzoi pikërisht Zelenskin, i cili paska urdhëruar të sulmohen qytetarët ukrainas që kanë dashur të evakuohen që të mbeten aty, si mburojë para forcave ruse. Prandaj dhe nuk përparokan forcat ruse ashtu siç pritej.

Ai në mënyrë të tërthortë arsyetoi sulmin rus, duke thënë se ata kanë pasur informata se Ukraina ka laboratorë për armë biologjike që i kanë bërë bashkë me amerikanët, duke shtuar madje, për të qenë ndoshta dhe më bindës se ç’bëjnë amerikanët, tha se kjo gjë bëhet edhe në bazën e Bondstilit në Kosovë!  Mos ndoshta për të arsyetuar ndonjë aksion ruso-serb edhe atje?

Ku i paskan pasë dhe ku i kanë përdorë këto armë, o Alfred Cako?!…S’ke ti faj, por media që të lë hapësirë për të bërë gogol me teoritë tua të konspiracionit, vetëm që me atraktivitetin e këtyre nebulozave të shtojnë shikueshmërinë!

Ndërsa konfliktin në përgjithësi e shikon me teoritë e konspiracionit që ai tepër u beson: Ka shume gjasa qe Luften nga te dyja anët po e drejton një dorë, ajo e Kill-iluminatit, me të vetmin synim: shfarosje me luftëra, uri, papunësi, depopullim, për të mbetur jo më shume se 1 miliard banorë, futje e humanit-robotëve, zhdukje e familjes, një qeveri, policie, ushtrie të vetme botërore, pa fshatra, pa automjete private transporti, me një Gjykate Supreme të larte.” / Indeks.mk

Këtu keni edhe linkun nga deklarimet e Alfred Cakos: https://www.youtube.com/watch?v=isMYtU5P6RA

Marketing