28.8 C
Skopje

Mësimdhënësit kërkojnë rritje të pagave

Shkup, 17 mars – Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Shkencës (SPASH), ka njoftuar se nga dita e shtunë do të protestojnë. Protesta do të filloj nga ora 10:30 para qendrës tregtare “East Gate” dhe do të marshojnë drejt Qeverisë. Kërkesat e tyre janë respektimin e marrëveshjes kolektive dhe harmonizimin e pagës së mësimdhënëseve me pagën minimale. Kryetari i SPASH-it, Tomislav Gievski, ka thënë se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), si një sindikatë përfaqësuese e arsimit ka paralajmëruar grevë dhe aktivitete më radikale nëse deri më 15 mars nuk harmonizohet paga minimale me marrëveshjet kolektive. Por, sipas tij, deri më tani nuk është parë përgatitje për grevë apo protesta dhe për këtë arsyeje ata si sindikatë e dytë më e madhe do të vazhdojnë betejën.

“Paga fillestare e një mësuesi, bashkëpunëtor profesional në sektorin e arsimit është 24.800 denarë, e cila është rreth 5.200 denarë nën pagën mesatare aktuale. Pra, paga fillestare është shumë më e ulët se paga mesatare”, tha Gievski.

Ai duke sqaruar marrëveshjen kolektive, tha se një mësimdhënës në shkollën fillore ka koeficientin 2.503 dhe një mësimdhënës në shkollën e mesme ka 2.533 dhe sipas marrëveshjes kolektive ky koeficient duhet të llogaritet me pagën minimale në vend. Sipas tij, këtu është problemi sepse SASHK dhe MASH, kanë bërë marrëveshje që kur ishte rroga minimale 10.000 denarë. “Nga atëherë për pagat e mësimdhënëseve është shmangur kalkulimi sipas marrëveshjes kolektive dhe ne rrezikohemi nga ekzistenca jonë sociale sepse marrim pagë nën mesataren”, shtoi Gievski. Ai gjithashtu tha se në të gjithë vendet e Ballkanit, mësimdhënësit nuk marrin pagë nën pagën mesatare të atij vendi. Gjithashtu siç tha ai, në asnjë vend tjetër të rajonit politika nuk është e përfshirë kaq shumë në çështjet arsimore dhe pagave të mësimdhënëseve.

“Parimet tona themelore si Sindikatë e Pavarur e Arsimit dhe Shkencës janë vlerësimi dinjitoz i punës së mësimdhënësit dhe departizimi i arsimit. Pas 30 vitesh, sistemi nuk mund të tolerojë më ndikimin e njërës apo tjetrës parti politike, për të ndryshuar stafin mësimor. Si dhe më e rëndësishmja, një mësimdhënës i cili edukon gjeneratën e ardhshme dhe kujdesët për fëmijët tanë nuk do ta lejojmë të paguhet nën pagën mesatare. Përveç kësaj, numri më i madh i mësimdhënëseve kanë mbaruar universitetin, studimet të magjistraturës dhe disa prej tyre kanë mbaruar edhe studime të doktoratures”, nënvizoi Gievski.

Sipas tij, është logjike që Ministria e Arsimit dhe Shkencës, t’i përgjigjet atyre pas një periudhe të gjatë kohore. Siç deklaroi ai, sindikata e tij përfaqëson një numër të madh të punëtorëve të arsimit dhe ai si kryetar e ka për detyrë të jetë transparent dhe t’u tregojë anëtareve se çfarë po negociohet. “Por, duke marrë parasysh që MASH, ashtu si ministri aktual dhe ai i mëparshëm, nuk dëshiron t’u përgjigjet letrave, atëherë zgjidhja e vetme për punëtorin është rruga, pra ngritja e zërit së sindikatës për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për ta zgjidhë problemin. Ne jemi të vendosur.“Nuk kemi praktikë anulimin e protestave”, përfundon Gievski.

Marketing