Bashmir Xhemaj promovoi librin “Një shqiptar në CIA” para publikut në Shkup

0
65

Historia e Destan Berishës, shqiptarit që Amerika i dha mision për ta rrëzuar komunizmin në Shqipëri, është shpalosur para publikut shqiptar në Shkup.

Nën patronatin e Zëvëndëskryeministrit të parë të Maqedonisë së Veriut, z. Artan Grubi dhe organizimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, autori Bashmir Xhemaj promovoi në Shkup librin e tij “Një shqiptar në CIA”.

Për hulumtimin e historisë së Destan Berishës, sipas autorit, u deshën disa vite dhe janë dy motive që e shtyn të shkruaj. E para, të zbuloj një histori të padëgjuar më parë për personazhin dhe që përmes tij të kuptohen më mirë rrethanat historike dhe politike të shqiptarëve në Luftën e Ftohtë.

E dyta sipas autorit, libri zbërthen një raport shumë të hershëm të shqiptarëve me amerikanët dhe që pikërisht nisi përmes shërbimit intelegjent të CIA-së që ndërmori operacionin e parë top sekret me organizimin e shqiptarëve për rrëzimin e regjimit komunist.

Drejtori i Institutit, prof.dr. Skender Asani ka përgëzuar autorin për këtë vepër që e ka sjellë para lexuesit shqiptar në Shkup duke thënë se “libri nxjerrë në dritë për herë të parë dhe në mënyrë serioze fillimin e interesimit amerikan për çështjen e Kosovës në mesin e viteve 60-ta dhe pikërisht njeriu që vuri në lëvizje diplomacinë amerikane është Destan Berisha”.

Profesori Ylber Sela tha se “suksesi i librit në trojat shqiptare është mëse i kuptueshëm sepse autori Bashmir Xhemaj me përvojën e tij në media dhe politikë ka krijuar tashmë një kulturë të nevojshme profesionale për të sjellë një vepër kaq të mirë”.

Historiani tjetër nga Univeristeti i Prishtinës, Durim Abdullahu vlerësoi se libri është shembull se si një biografi mund të bëhet histori. “Duke përcjellë jetën e Destanit, autori rrëfen një epokë historike” ka thënë ai.

Libri shpalos detaje se si Destan Berisha kontaktohet nga amerikanët në vitin 1948, të cilët bashkë me britanikët kishin nisur përpjekjet për ta rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri.

Aty tregohet veprimtaria e Berishës si agjent i CIA-s gjatë katër viteve sa zgjati operacioni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here