23.8 C
Skopje

Romët, frymëzim i përhershëm në film, nga Çaplini deri te Bekim Fehmiu,Kusturica e Stole Popovi…

Dita ndërkombëtare e romëve, është një shkas i mirë për të përkujtuar faktin se jeta e romëve, ka qenë dhe mbetet frymëzim i pashtershëm për shumë vepra artistike. Jeta nomade, ekzotika e mitizuar, probnlematika sociale, nënshtrimi i përhershëm, diskriminimi,paragjykimet…, janë gjëra reale që lidhen me jetën e romëve, popullatës ndoshta më të shpërndarë në gjithë botën.

Pak kush nga publiku ynë e ka fiksuar faktin se një nga humoristët më të njohur të kinematografisë botërore, ÇarliÇaplin, është me origjinë rome. E konsiderojnë humoristin më të madh të shekullit 20-të dhe supozohet se personazhi i tij që të gjithë e mbajmë mend, një endacak simpatik me mustaqe që vazhdimisht kërkon ndonjë çast lumturie në jetë, është frymëzuar pikërisht nga jeta e endacakëve romë në një kohë të rëndë sociale e ekonomike në Anglis ose Amerikë.

Kinematografia më e njohur botërore, ajo e Holivudit, ka pa numër filma me jetën e romëve, por nuk ke as kinematorgrafi tjetër ku nuk do të ketë ndonjë film mbresëlënës po me të njëjtën tematikë. Një nga filmat e tillë është “Ciganët fluturojnë në qiell”(me këtë titull emetohej në ish-Jugosllavi, por titulli në anglisht ishte “Queenof the Gypsies”, pra,”Mbretëresha cigane”), film sovjetikpër një dashuri fatale në një çergë endacakësh, bazuar në një rrëfim të shkrimtarit sovjetik MaksimGorkit.

Në kohën më të re, lindi fenomeni i serialeve televizive që u quajtën telenovela, një prodhim tejet profitabil i shou-bizit, dhe ndër më të shikuarat, ose madje që i kanë dhënë hov zhvillimit të kësaj gjinie të re televizive, kanë qenë seriale si “Kasandra” ose “Esmeralda”, ku flitej për jetën e romëve ose personazhe rome ishin strumbullari i rrëfimit.

Kur jemi te aspekti artistik, duhet thënë se në kinematrografinë e ish-shtetit të përbashkët, SFRJ-së, një nga filmat më të mirë, e kritika gjatë kohë e ka pas konsideruar filmin më të  mirë të të gjitha kohërave, “Mbledhësit e puplave”, merret me jetën e romëve të Vojvodinës. Ky film është realizuar nga regjisori i njohura AleksandarSashaPetroviq, për të cilin supozohet se vetë është rom, kurse roli brilant i Beli Borës, ia hapi dyert e kinematografisë botërore aktorit shqiptar Bekim Fehmiu. Mund të thuhet se roli i romit Beli Bora dhe ai i Odiseut, janë dy rolet më të mira të këtij aktori.

Në atë kinematografi, romët shpesh ishin të pranishëm si personazhe në shumë filma, të shpeshtën përmes klisheut të bendeve muzikore(zurnaxhinj, tupanxhi apo “harmonikashë”), porse kohë pas kohe, prapë do të lindte ndonjë film i mirë. Ndër ta, gjithsesi, bie edhe “Shtëpia për varje” e regjisorit boshnjak me shkarje identitare që më vonë do të konvertohet vetëm në serb(duke harruar masakrat serbe në Bosnjë, por kjo është temë tjetër), Emir Kusturica. Ky film që merret me fenomene moderne(krimi, shërbërja e familjes…), është xhiruar edhe nëpër lagjet e Shuto Orizarit dhe Çairit. Filmi pati mjaft sukses në vend dhe botë.

Frymëzimin nga jeta e romëve, e gjeti edhe regjisori maqedonas Stole Popov, që me fillet e tij artistike, me filmin dokumentar “Dae”(1979) që mori disa çmime ndërkombëtare. Ai më vonë do të realizojë edhe filmin “Xhipsimexhik”(Gipsymagic)(1997), i cili ngjarjen do të vendosë në kohën e pavarësimit të Maqedonisë dhe përpëlitjet e një familjeje rome për t’u gjetur në realitetin e ri, ku gërshetohen jeta e rëndë sociale, ëndrra e madhështisë kombëtare të origjinës(personazhi që e luan MikiManojlloviqi ëndërron gjithë kohën të shohë Indinë), lidhja me një ushtar të UNPROFOR-it me origjinë nga India…

Shumë nga veprat mund të jenë të ngarkuara me klishetë, por disa sish depërtojnë edhe në esencën e jetës, filosofisë jetësore, vetëdijes së një populli i cili është i përhapur gjithandej nëpër botë dhe me gjithë ndryshimet që ka sjellë koha, e ka ruajtur një pjesë të imazhit ekzotik, çfarë ka dominuar në këndvështrimin e të tjerëve ndaj romëve.

Marketing