33.8 C
Skopje

Ambasadori bullgar: Bullgaria dhe Maqedonia janë në biseda intensive, së shpejti presim rezultate

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë duke udhëhequr bisedime intensive dhe së shpejti pritet grupet e punës të arrijnë rezultate konkrete, deklaroi sot ambasadori bullgar në Tiranë, Momçill Rajçevski.

“Jemi në një periudhë bisedimesh shumë intensive me Maqedoninë e Veriut. Qeveria e re bullgare ka ngritur 10 grupe pune që punojnë për një interes të përbashkët dhe presim që së shpejti të arrijmë rezultate konkrete. Presidenti Meta zhvilloi një vizitë zyrtare në Sofje, ku presidenti bullgar theksoi mbështetjen e pakushtëzuar të Bullgarisë për integrimin e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Rajçevski në përgjigje të pyetjes së gazetarëve nëse Bullgaria e mbështet integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

Përfaqësuesi diplomatik i Sofjes në Tiranë, potencoi se vendi i tij do të jetë dhe do të mbetet pjesë e mbështetësve më aktivë të zgjerimit evropian.

Ai nuk deshi ta komentojë paralajmërimin e kryeministrit, Edi Rama se Shqipëria nga BE-ja do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut në procesin integrues.

“Çfarë do të kërkojë Shqipëria është vendim i Republikës së Shqipërisë. Nuk mund të komentoj kur bëhet fjalë për kushtet, por sërish them se Shqipëria është duke e bërë punën e vet”, tha ambasadori bullgar.

Pyetjes nëse duke e pasur parasysh luftën në Ukrainë, BE-ja duhet të bëjë më shumë për Ballkanin Perëndimor, Rajçevski tha se Unioni është duke bërë shumë, por vlerëson se “më e rëndësishmja për momentin është të gjithë të fokusohen në përfundimin e luftës”.

Marketing