28.8 C
Skopje

Presidenti amerikan luftën e Rusisë kundër Ukrainës e cilëson “gjenocid”, presidentin Putin “diktator”

Washington DC

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës e ka cilësuar “gjenocid”, ndërkohë presidentin rus, Vladimir Putin, e quajti “diktator”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Biden foli me gazetarët në qytetin Menlo të shtetit Iowa mbi përpjekjet e administratës së tij për uljen e çmimeve të gazit të cilat janë rritur për shkak të luftës, si dhe për adresimin e inflacionit në rritje.

Komentet e tij erdhën disa orë pasi Departamenti i Punës publikoi të dhënat që tregojnë se indeksi i çmimeve të konsumit, që llogarit shportën e mallrave dhe shërbimeve, në muajin mars është rritur për 8,5 për qind, duke regjistruar rritjen më të madhe 12-mujore që nga dhjetori i vitit 1981.

Biden tha se ai po bën gjithçka të mundur përmes urdhrave ekzekutivë për uljen e çmimeve dhe për të adresuar rritjen e çmimeve në përgjithësi, të shkaktuara, siç theksoi ai, nga Putin me luftën e tij në Ukrainë dhe ndikimeve të saj përtej.

“Buxheti juaj familjar, aftësia juaj për të mbushur rezervuarin tuaj, asnjëra prej tyre nuk duhet të varen nga fakti nëse një diktator shpall luftë dhe kryen gjenocid gjysmë bote larg”, tha Biden.

Presidenti amerikan tha se pushtimi i Putin-it ka rritur çmimet e gazit dhe çmimet e ushqimeve në mbarë botën, si dhe shtoi se “70 për qind e rritjes së çmimeve në muajin mars erdhi nga rritja e çmimit të Putin-it”.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.892 civilë janë vrarë dhe rreth 2.600 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, megjithatë shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4,6 milionë ukrainas po ashtu kanë ikur jashtë vendit, ndërkohë miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Marketing