Fitimi nga Corona: Në “Sistina” dhe “Zan Mitrev” njerëzit kanë paguar vitin e kaluar 110 milionë euro, 41 milionë më shumë se në vitin 2020!

0
71

Në “Acibadem Sistina” vitin e kaluar qytetarët kanë lënë 77,5 milionë euro, kurse në “Zan Mitrev Clinic” 32,5 milionë euro, ose vetëm në këto dy institucione private shëndetësore, për shërbimet e kryera shëndetësore, populli ka paguar 110 milionë euro!

Në vitin 2020 në këto dy spitale janë derdhur 69.1 milionë euro ose 40.9 milionë euro më pak se vitin e kaluar. Këtë e tregojnë të dhënat për të hyrat e institucioneve shëndetësore të cilat i ka siguruar portali në gjuhën maqedonase “Пари” në bashkëpunim me BiznisMreza.mk.

Pavarësisht akumulimit të të ardhurave bombastike, të dy spitalet mbeten imun dhe nuk iu përgjigjën lutjeve të qytetarëve që të solidarizohen me krizën shëndetësore dhe të ulin çmimet.

Në Maqedoni, sipas rregullores, të gjithë kanë sigurime shëndetësore, por pandemia e koronës e gjunjëzoi sistemin shëndetësor dhe institucionet private shëndetësore, ku shumë qytetarë kërkuan strehim e shfrytëzuan shumë mirë këtë. Teksa në rrjetet sociale nisën të shpërndaheshin apelet për mbledhjen e parave për të ndihmuar të sëmurët, u shfaq e vërteta e dhimbshme se u kërkuan paraprakisht 12 mijë euro për një javë trajtim. Në fund faturat që mbërrinin te qytetarët ishin të tmerrshme, 20-30 mijë euro i mbijetoi apo jo pacienti. Fatkeqësisht, disa mbetën pa para (shpesh të huazuara) dhe pa të dashurit e tyre.

Pacientët që humbën të dashurit në të dy spitalet u bëjnë thirrje autoriteteve që të hetojnë seriozisht se si trajtoheshin pacientët në këto spitale dhe si u realizuan pagesat për këtë.

Për korona-profiterizmin flasin më së miri të dhënat për fitimet e realizuara në raport me të ardhurat totale.

Vitin e kaluar, Acibadem Sistina, me të hyra totale prej 77.5 milionë eurosh, ka realizuar fitim neto ( të tatimuar, fitim neto) prej 17.3 milionë euro. Norma e profitabilitetit të Acibadem Sistina (fitimi neto në terma të të hyrave totale) ishte deri në 22.3%. Kjo do të thotë se pothuajse çdo denarë i pestë i paguar për një shërbim shëndetësor shkonte në llogarinë e fitimit. Bordi i Drejtorëve është prezantuar në faqen zyrtare të Acibadem Sistina. Kryetar është Mehmed Ali Aydinlar, ndërsa anëtarë të Bordit të Drejtorëve janë Jordan Kamçev, Antonije Maronoski dhe Tahsin Gunej.

Me 32.5 milionë euro të ardhura, Spitali klinik Zhan Mitrev realizoi një fitim neto prej 9.2 milionë euro vitin e kaluar. Ose, norma e rentabilitetit të “Zhan Mitrev” ishte 28.3 përqind. Kështu, ky spital klinik mund të mburret se ka mundur të fitojë më mirë se Acibadem Sistina. Në faqen e tyre zyrtare ku prezantohet menaxhmenti nuk ka bord të drejtorëve dhe drejtor është Dr. Zhan Mitrev.

Pandemia u shpall më 11 mars 2020 dhe që atëherë “biznesi” i spitaleve private ka ardhur në rritje, teksa pandemia u intensifikua. Të dhënat tregojnë se viti 2021 ishte më i mirë se 2020 si për Acibadem Sistina ashtu edhe për Zan Mitrev.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here