Vazhdon greva, mësimëdhënësit të palëkundur

0
60

Të punësuarit në çerdhe dhe arsim nisën javën e dytë të grevës së përgjithshme pavarësisht kërcënimeve të shumta.

Mësimdhënësit dhe kryetarë të organizatave sindikale thanë për Alsat se nuk tremben nga kërcënimet e Qeverisë se do t’u paguhen vetëm kontributet dhe jo rroga e plotë.

Sipas tyre kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme ndërkohë që rritja e pagave ka ngelur në vend.

“Kërcënimet e Qeverisë besoj që ata i kanë prej emocioneve. Ne kemi qenë të kërcënuar çdo herë për shkak se rrogat tona janë katastrofale dhe ne me pagat tona asnjëherë nuk kemi arrit që deri në përfundim të muajit të dalim që do të thotë se çdo herë kemi qenë të kërcënuar mirëpo këtu besoj se Qeveria për momentin pas mos arritjes së marrëveshjes me SASHK-un e ka pa të arsyeshme, mendoj në thonjëza, se mund të hakmerret në njëfarë mënyre por besoj se nuk do të ndodhë një gjë e tillë”, tha Efraim Sejdiu, SASHK “NIkolla Shtejn” Tetovë.

“Kjo është normale. Për Qeverinë vazhdimi i grevës ndikon te ato dhe si udhërrëfyes ato e kanë kërcënimin. Edhe në grevën e mëparshme ishin po të njëjtat kërcënime prandaj nuk na pengojnë shumë, ne punën e vazhdojmë, jemi të rregullt, do të vazhdojmë me grevën derisa të realizohen kërkesat tona që janë mëse të qarta. Ne jemi të vendosur, nuk jemi të gjunjëzuar, kjo na motivon edhe më tepër ta vazhdojmë grevën me të njëjtin ritëm që e kemi pas në javën e parë, prej sot jemi në javën e dytë edhe të shohim se si do të rrjedhin punët”, u shpreh Zija Ademi, SASHK sh.f “ Istikball” Tetovë.

Mësuesi Satki Ismaili tha se është koha për më pak fjalë e kërcënime. Madje, siç tha ai, Qeveria duhet të mbaj përgjegjësi për lëshimet në politikat arsimore dhe dëmtimet që u bën në këtë fushë me reformat e njëpasnjëshme.

“Nuk na frikon rroga, një ose dy muaj, mirëpo fjalë e thënë vret më shumë se një rrogë.  Neve nuk na vret shumë 10 ose 20 % sa disa deklarata të cilat duhet të jenë të kujdesshme nga njerëzit të cilët kanë fëmijë, kanë anëtarë të familjes të punësuar në arsim. Kjo ditë e humbur është ditë shumë e humbur për fëmijët, ti lëmë komentet, mos akuzojmë njëri tjetrin, mos kërcënojmë se nuk ka forcë që na luhat. Ato duhet ti shohin lëshimet e veta që I kanë bërë në politikat arsimore të cilat kanë shumë mangësi, si nuk i vërejnë ata lëshimet dhe të kërkojnë punë në punën e tyre” theksoi Satki Ismaili, mësimdhënës.

Anëtarët e SASHK-ut refuzuan dje ofertën e Qeverisë për rritje prej 10 për qind të pagave në arsim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here