“Më mirë për Tetovën”: Nuk kemi kërkuar ndërprerjen e punimeve në rrugën “Strasho Pinxhur”, është vendim arbitrar dhe i njëanshëm i komunës

0
256

Tetovë, 20 prill – Iniciativa “Më mirë për Tetovën” e cila në Këshillin e Komunës së Tetovës përfaqësohet me dy këshilltarë, ka reaguar pas vendimit të komunës për të ndërprerë punimet në rrugën “Strasho Pinxhur”.

Nga kjo iniciativë thonë se vendimi i komunës për ndërprerjen e punimeve nuk ka të bëjë aspak me ata, pasi siç thonë, nuk kanë post ekzekutiv.

Më tej shtojnë se ata nuk kanë kërkuar ndalimin e punimeve në rrugën “Strasho Pinxhur”, dhe këtë vendim e vlerësojnë si arbitrar dhe të njëanshëm.

“Në punën e saj të deritanishme, Lista “Më mirë për Tetovën” gjithmonë është udhëhequr nga interesat e qytetarëve dhe nga parimi i kontributit konstruktiv. Kësisoj, kemi vendosur kapacitetet tona në shërbim të Komunës për gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat ballafaqohemi të gjithë. Më tej, nuk kemi kërkuar shkëmbim postesh ose favore për punën që bëjmë. Ndërsa këshilltarët tanë rregullisht kanë dhuruar rrogat e tyre për projekte në të mirën e qytetit. Këto janë dëshmi bindëse për qasjen tonë pozitive ndaj Tetovës dhe banorëve të saj”.

“Reagimi ynë i djeshëm ka të bëjë me shqetësimin e qytetarëve për dëmin që iu shkaktua mjedisit dhe mënyrën jotransparente të punës. Shqetësimin tonë e shprehëm në mënyrë publike, dhe për hir të transparencës kërkuam sqarim. Udhëheqësia Komunale publikisht premtoi që do të ndalojë prerjen e panevojshme të pemëve dhe do të paraqes elaborat që arsyeton nevojën për prerjen e të tjerave”.

“Kujtojmë opinionin e gjërë se udhëheqësia e re Komunale ishte betuar që mjedisi i pastër, transparenca dhe llogaridhënia janë shtyllat kryesora për të cilat angazhohen. Mirëpo veprimi i djeshëm dhe ndërprerja arbitrare e punëve sot dëshmojnë të kundërtën. Mjedisi është dëmtuar, deri më tani nuk është prezantuar elaborat për punën e paraparë, dhe askush nuk mban llogari për këtë”.

“E ftojmë udhëheqësinë Komunale që të tejkalojë mendësinë destruktive, t’i qëndrojë besnike premtimeve parazgjedhore dhe mbi të gjitha të vendos interesat e qytetarëve në radhë të parë. Sajimi i mosmarrëveshjeve në dëm të qytetarëve për përfitime politike është i paarsyeshëm dhe përkon me mendësinë e të kaluarës të cilën Tetovarët shpresonin që nuk do t’u përsëritet më”.

“Gjithashtu, për hir të korrektësisë ndaj qytetarëve dhe për të mënjanuar manipulimin e publikut, e ftojmë udhëheqësinë e Komunës të prezantojnë dëshmi ku Lista “Më mirë për Tetovën” kërkon ndërprerjen e punëve në rrugën “Strasho Pinxhur””, thuhet në reagimin e iniciativës “Më mirë për Tetovën”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here