24.8 C
Skopje

Këshilltari i Alternativës, Selami: Bilall Kasami keqmenaxhon me komunën, tregoi naivitet institucional

Këshilli i Komunës së Tetovës rrezikon të shpërbëhet dhe si pasojë të organizohen zgjedhje të reja për këshill komunal. Arsye për këtë është fakti se këshilli nuk e ka miratuar llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës për vitin e kaluar (2021) deri me 31 mars të këtij viti ashtu siç e parasheh ligji. Kjo pikë pas afatit ligjor nga kryesuesi i këshillit është vendosur për diskutim në rend dite në këshill. Këshilltarët e Këshillit të Komunës së Tetovës për Portalb.mk komentojnë këtë çështje.

Cili është qëndrimi i këshilltarëve?

Sipas këshilltarit nga Alternativa, Faton Selami janë dy skenarë për këtë rast dhe se ata janë të gatshëm për zgjedhje.

“Ne mendojmë se këtu ose ka pasur naivitet institucional, duke mos e ditur mënyrën e funksionimit të Komunës, ose është një situatë që është prodhuar qëllimisht për qëllime që mund t’i dijë kryetari i komunës dhe shpura e tij. Cilado qoftë e vërteta, është lajm i keq për menaxhimin e qytetit tonë. Sidoqoftë, pas problemeve që u shfaqën ne Komunën e Tetovës, me ç’rast ka shumë gjasa të shkohet në zgjedhje të reja për Këshillin Komunal të Tetovës, mund t’ju them se Alternativa – Dega e Tetovës është jo vetëm e gatshme të hyjë në ato zgjedhje, kurdo që të mbahen, por edhe e bindur se rezultati i saj do të ishte dukshëm më i mirë”, tha Selami.

Marketing