ZIGZAG: PRERJA

0
115

Mbaj mend, si sot: sa herë që frynte era, një degë e madhe dardhe, puthitej si me zor për kulmin e shtëpisë duke lëshuar një poterë të frikshme. Njëditëzaj, me një sharrë të vogël, memzi ia dola ta pres degën zhurmëmadhe dhe kur ajo u plandos përdhe, përsëri poterja nuk qe e vogël sa nxori jashtë shtëpie komshiun tim, irlandezin Chris: I alarmuar nga zhurma, kur e pa se ç’kishte ndodhur, më pyeti pa teklif: ke marrë leje nga bashkia? Me një rrudhje krahësh dhe lëvizje koke majtas-djathtas, i bëra me dije se nuk e kisha bërë! ‘Kësaj radhe, nuk do të lajmëroj, ama nëse e përsërit, do të duhet…’- më qortoi fqiu im në Zonën e Tretë të Londrës, këtu e njëzet vjet më parë. Njëmend, atje, mbrojtja e mjedisit ishte dhe mbetet agjendë e gjelbërt: Logjika ime, kur e preva degën e dardhës, ishte se në bahçen time mund të bëja ç’të dua, ama nuk kishte qenë ashtu! Drunjtë ishin nën mbrojtjen e shtetit! Jo si ke ne dhe jo si në Tetovë!

SHKRUAN: SELADIN XHEZAIRI

Përtej fizkulturës gjuhësore, folja prerje të cyt të mendosh e të kujtosh edhe diçka që të shkakton dhembje apo edhe mundim e tundim. Qoftë kur është fjala për prerjen e drurëve, të ujit, për prerje-qepjet e deri tek prerjet gjeologjike e pse jo dhe, po them unë, politike!

U bë goxha shamatë për prerjen e drurëve jo në malësinë, por brenda në zemër të qytetit të Tetovës. Pakënaqësia e mjedisorëve apo ambientalistëve do të kishte qenë krejt ndryshme sikur në debatin e hapur të mos kishte edhe pakëz kripë politike: Kjo për shkak se, gjykoj unë, prerja me të kaluarën, nuk bëhet duke prerë e shkulur drurët, shkeleshko, duke lëshuar, po kështu, frerët e ndërtim-legalizimeve, për të vënë ‘demokracinë në veprim’! Dhe, për të qenë, më korrekt, kjo nuk do të thotë se më herët nuk ka pasur krasitje, kuturu, mëshelje syri për ato që njihen ‘ndërtime të egra’, ama ndërmarrjet e këtilla kërkojnë peshimin e veprimeve, jo vetëm me grupet e interesit, por edhe të qytetarëve të zakonshëm të cilët, kur janë ngushtuar hapësirat e gjelbërta, tek ato pak pemë – shohin mushkëritë e pastrimit të ajrit!

…Se në rrafshin e Pollogut, ka edhe ‘pak Londër’, më ka bindur kohë më parë i pari i Universitetit të Evropës Juglindore, teksa në mjediset e tij, në organizim të ambasadës së Holandës dhe Institutit Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal, u shfaq filmi dokumentar ‘Na ishte një herë në Venezuelë’ që fliste për peripecitë e një vendi në tranzicion, shumë i përafërt me këtë rrugën që po kalojmë ne: Akademik A. Bexheti tregonte se në dokumentacionin e këtij institucioni ekzistojnë të dhëna të sakta për çdo dru, fidan a pemë të mbjellur, të tharë apo të prerë! Po për lakmi është edhe Universiteti fqinj i Tetovës! Mjerisht, nuk mund të thuhet e njëjta për jashtë kangjellave universitare, hiq parkun e vogël tek Xhamia e Larme.

Dhe, nuk është se për këtë fajet i kanë vetëm ‘ata’, të pardjeshmit, të djeshmit a të sotmit: Fajet i kemi dhe ‘ne’ që qëmtojmë boshllëqe për të bërë ngrehina, pa çka se ia zëmë frymën vetëvetes dhe krekosemi si gjelat në prag të prerje-qepjeve të zgjedhjeve të radhës, qofshin ato vendore apo qendrore!

Për fund edhe një ‘margaritar’ nga qyteti rrëzë Sharrit: në njërin nga parkingjet e pakta, në qendër të shehrit, ‘shefi’ i ri i tij, në sytë e një tetovari me makinë me targa TE, nuk e kishte lejuar parkimin e një veture me regjistrim KI! Miku im Luani që po ma tregonte këtë mesele, tha se kishte qenë dëshmitar okular, se ‘shefit’ i paska thënë – ‘përse nuk e lejove se kishte vend’… Përgjigja, më tha Luani, ishte si prej pushke: ‘E di, po nuk i lë, për inat’!

Si duket, patrioti im nuk di e nuk ka dëgjuar e as lexuar për ‘prurjet’ e reja në ‘nënën parti’ nga – Kërçova!

…Ec e më thuaj se Tetova nuk është e madhe: Prerjet i ka të shumta e shumëdimensionale, qofshin ato edhe të arta!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here