22.8 C
Skopje

Prej takimit Kurti-Scholz e deri tek darka me Lajçakun e Vuçiqin, krejt çka ndodhi në Berlin

Kancelari gjerman, Olaf Scholz të mërkurën ka pritur në takime të ndara, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Scholz në fillim është takuar me Kurtin, ku më pas është mbajtur një konferencë për media.

Ndërsa më pas zyrtari i lartë gjerman  ka vazhduar konferencën me presidentin serb Alekandar Vuçiq.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka lavdëruar Kosovën për rreshtimin që republika e vogël ballkanike e ka bërë karshi Rusisë që nisi luftën në Ukrainë.

Temë tjetër në takimin  Scholz-Kurti ishin bisedimet Kosovë-Serbi.

Për t’i dhënë një shtytje këtij procesi kancelari ftoi në kryeqytetin gjerman edhe emisarin evropian për dialog, Miroslav Lajçak që sipas planit në një takim joformal i bënë bashkë Kurtin e presidentin serb, Aleksandar Vuçiqin në Berlin.

Nga ana e tij, Kurti i tha kancelarit se Prishtina është gati për bisedime me Beogradin, por “ku njohja vjen në fillim të procesit e jo në fund”.

Të dy kryeministrat folën për bashkëpunimin ekonomik kosovaro-gjerman. Republika Federale u quajt si investitori më i madh në Kosovë.

Tutje ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, dha dje detaje rreth darkës së mbrëmshme në Berlin, pjesë e së cilës ishin kryeministri kosovar Albin Kurti si dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Lajçak e vlerësoi si mundësi të mirë këtë takim të treshes, për të diskutuar rreth çështjes së dialogut, për të cilin thotë se pritet diskutim tjetër në nivel kryenegociatorësh më 13 maj.

”Mirëpritëm mundësinë për një darkë joformale diskutimi rreth dialogut me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq në Berlin. Mirënjohës ndaj qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimin në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj”.

Për takimin e mbrëmshëm foli edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili tha se darka joformale me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ishte shumë e vështirë dhe se sipas tij përfaqësuesit gjermanë këmbëngulën se ajo çka është firmosur në Marrëveshjen e Brukselit duhet të zbatohet.

“Bisedimet do të vazhdojnë. Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, më 13 maj do të shkojë në Bruksel për të tentuar të pajtohet për diçka”, tha Vuçiq, raporton RTS, transmeton Klankosova.tv.

Vuçiq theksoi se problemi për Beogradin është se disa refuzojnë të flasin Asociacionin, por sipas tij, është e rëndësishme që të gjithë përfaqësuesit gjermanë kanë thënë se ajo që është nënshkruar duhet të zbatohet.

“Detyra ime është të luftoj për Serbinë dhe do të vazhdoj ta bëj këtë”, tha Vuçiq. / syri.net

Marketing