Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zhvillojnë bisedime dypalëshe me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut për të zgjidhur shpejt mosmarrëveshjet mes tyre, sepse është koha që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë bisedimet e para-anëtarësimit me BE-në, tha Departamenti i Shtetit.
Sekretari i Shtetit Anthony Blinken dhe ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian thanë në një bisedë telefonike javën e kaluar se procesi po përshpejtohej.
I pyetur nga MIA që të zbulojë detaje dhe afate në lidhje me këtë, zëdhënësi Ned Price tha mbrëmë se ka vazhduar të inkurajojë Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut që shpejt t’i zgjidhin mosmarrëveshjet bilaterale.
“Por unë nuk do të zbuloj detaje të atyre bisedave,” tha Price.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej kohësh një mbështetëse e fortë e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.
“Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet në të gjithë rajonin”, tha ai.
Ai shtoi se vendimi i BE-së nga marsi 2020 për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë konsiderohet një hap pozitiv.
“Të dy vendet kanë përfunduar detyrat bazë dhe ne besojmë se është koha për të ecur përpara së bashku në fazën tjetër të procesit të gjatë dhe sfidues të pranimit,” tha Price.
Ai shtoi se Marrëveshja historike e Prespës ka treguar se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të afta të kryejnë detyra të vështira, të arrijnë kompromise dhe vendime të vështira dhe ne jemi të bindur se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të bëjnë të njëjtën gjë duke negociuar mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe”.