23.8 C
Skopje

Për 2.2 vjet shkurtohet jetëgjatësia e qytetarëve të Maqedonisë

Nëse në vitin 2019 jetëgjatësia mesatare e popullsisë në Maqedoni ishte 76.6 vjeç, tani jetohet 2.2 vjet më pak. Reduktimi i jetëgjatësisë së pritshme të popullsisë në 74.4 vjeç në vitin 2021 erdhi si pasojë e numrit të lartë të fataliteteve gjatë periudhës së pandemisë dhe numrit të lartë të vdekjeve të shkaktuara nga Kovid 19, të cilat e renditën Maqedoninë e Veriut si vendin e parë në Europë me jetëgjatësinë më të shkurtuar. Të dhënat të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se pasojat e Covid-19 në vend kanë qenë më të rëndat, me një jetëgjatësi të shkurtuar më shumë sesa të gjitha shtetet e tjera të Europës. Për të gjithë Europën, jetëgjatësia shënoi një rënie prej -0.9 vjet.

Pas Maqedonisë renditet e dyta Shqipëria (-1.7 vjet), Spanja (-1.6 vjet), Bullgaria e Serbia (me nga -1.5 vjet). Kjo renditje përkon edhe me të dhënat e mëparshme të Eurostat të cilat gjatë periudhës 2019- 2021 e kanë renditur Maqedoninë si një prej vendeve me rritjen më të madhe të vdekjeve shtesë gjatë pandemisë. Gjatë vitit 2020 Maqedonia shënoi vdekshmërinë më të lartë shtesë në Europë (+44.6%) dhe Shqipërinë me vdekshmëri (+26%), si dhe Kosovën me +43.4%. Kështu, Maqedonia renditet e para, e pasuar nga Kosova dhe Shqipëria e treta me numër të vdekjeve, sidomos në verën e 2021. Për Maqedoninë e Veriut, rritja e fataliteteve vazhdoi të jetë +44.6% (në fillim të këtij viti). Në Kosovë, vdekshmëria kumulative shtesë për periudhën mars 2020-shtator 2021 në krahasim me periudhën përkatëse mesatare 2018-2019 ishte +43.4%.

Sipas Eurostat, në vitin 2020, jetëgjatësia në lindje në BE ishte 80.4 vjet. Kjo shifër ishte 5.7 vjet më e lartë për gratë (83.2 vjet), sesa për burrat (77.5 vjet). Krahasuar me vitin 2019, jetëgjatësia në lindje pësoi një rënie (-0.9 vjet). Meshkujt patën një rënie më të madhe të jetëgjatësisë (-1.0 vjet) sesa gratë (-0.8 vjet). Megjithatë, kjo ulje e jetëgjatësisë në lindje sipas Eurostat lidhet me rritjen e papritur të vdekshmërisë në vitin 2020 për shkak të pandemisë COVID-19. Në vitin 2020, rajonet në BE me nivelet më të larta të jetëgjatësisë në lindje ishin në Francë, Spanjë, Itali dhe Greqi. Rajoni i BE-së me jetëgjatësinë më të lartë në lindje ishte ishulli francez i Korsikës (84.0), i ndjekur nga Ishujt Balearik në Spanjë (83.9) dhe rajoni i Epirit në Greqi (83.8). Nga ana tjetër, rajonet e BE-së me jetëgjatësinë më të ulët në lindje ishin të gjitha në Bullgari: Veri-Perëndim (72.1), Veri-Qendror (72.8) dhe Bullgaria Veriore dhe Juglindore (72.9).

Ishulli francez i Korsikës kishte jetëgjatësinë më të lartë të femrave (87.0 vjet), i ndjekur nga rajoni spanjoll i Galicia (86.7). Dy rajone franceze (Loire dhe Midi-Pyrénées), Ishujt Åland në Finlandë dhe rajoni i Epirit në Greqi shënuan të njëjtën jetëgjatësi të femrave; 86.4 vjet. Nivelet më të larta të jetëgjatësisë së meshkujve në lindje u regjistruan në rajonin e Epirit në Greqi, rajonin e Umbrias në Italinë qendrore dhe Ishujt Balearik në Spanjë (të gjithë 81.4). Më pak fatalitete në Europë kanë shënuar vendet nordike. Norvegjia është e vetmja në Europë që me fillimin e pandemisë nuk ka njohur rritje të vdekshmërisë shtesë (-1.2%). Në Danimarkë, Islandë, Finlandë, rritja ishte minimale midis 1 dhe 3%. /Koha/

Marketing