BDI uron autoqefalinë e Kishës Ortodokse në Maqedoninë e Veriut

0
78

Përmes një komunikate për mediat, edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka uruar besimtarët ortodoks të vendit për lajmin e njohjes së autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar si një kontest të zgjidhur me sukses që hap shtigjet e ardhmërisë më të sigurtë dhe progresive të vendit.

Sipas BDI-së vendi duhet të vazhdojë të ndjekë po të njejtën rrugë të fqinjësisë së mirë dhe zgjidhjes së kontesteve për të zhbllokuar sa më parë rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.

Në vijim komunikata e plotë e BDI-së lidhur me autoqefalinë e Kishës Ortodokse në Maqedoninë e Veriut:

“Bashkimi Demokratik për Integrim uron të gjithë besimtarët e besimit ortodoks në Maqedoninë e Veriut për pranimin e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Maqedonase – Аrqipeshkvia e Ohrit, pas vendimit të njëzëshëm që miratuan sot anëtarët e Këshillit të Kishës Ortodokse Serbe.

Ky është një vendim i një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për vendin tonë, por për stabilitetin e mbarë rajonit, pasi i dha fund edhe një kontesti shumëvjeçar që kishte krijuar shumë polemika që trazonin themelet e paqes.

Pas marrëveshjes së Ohrit dhe asaj të Prespës, ky kontest i zgjidhur është edhe një model shembull i protagonizmit paqësor nga të dyja palët në kohën kur demonstrimi i një gjëje të tillë është më se i nevojshëm.

Një nga një, me qasje konstruktive dhe me pjekuri po tejkalohen të gjitha pengesat dhe po hapen shtigjet që garantojnë të ardhmen e sigurtë dhe progresive të vendit.

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se këtë rrugë të pajtimit dhe kultivimit të raporteve të fqinjësisë së mirë me po të njejtin epilog, vendi ynë duhet ta vazhdojë edhe në kontestin me Bullgarinë fqinje për zhbllokimin e procesit të integrimit në familjen e Bashkimit Europian”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here