33.8 C
Skopje

Rritje e paparë deri më tani të çmimeve në eurozonë

Inflacioni në eurozonë gjatë muajit Maj arriti nivelin më të lartë që nga futja e monedhës së përbashkët europiane, kryesisht për shkak të çmimeve më të larta të energjisë. Në fillim të kësaj jave, Gjermania gjithashtu raportoi inflacion rekord.

Produktet dhe shërbimet në vendet anëtare të eurozonës në Maj kushtojnë mesatarisht 8.1 përqind më shumë se një vit më parë, tha dje Zyra Europiane e Statistikave Eurostat. Kështu, norma e inflacionit është katër herë më e lartë se objektivi i vendosur nga Banka Qendrore Europiane, i cili priret drejt inflacionit prej 2 për qind. Në muajt Mars dhe Prill, rritja e çmimeve në eurozonë ishte mesatarisht 7.4 përqind.

Norma e lartë e inflacionit ul fuqinë blerëse të qytetarëve, sepse me vlerën aktuale të euros mund të blejnë shumë më pak se më parë. Krahasuar me majin e vitit të kaluar, çmimet e energjisë janë rritur për 39,2 përqind, ndërsa ushqimet dhe pijet për 7,5 përqind. Çmimet për ushqimin e papërpunuar u rritën me 9.1 për qind dhe çmimet për shërbimet me 3.5 përqind.

Për Gjermaninë, Zyra Federale e Statistikave në Wiesbaden publikoi të hënën vlerësimin e saj të parë të inflacionit për muajin maj, në 7.9 për qind. Eurostat vlerëson rritjen e kostove të jetesës në Gjermani në 8.7 përqind. Vlerësimi më i lartë i Eurostat mund të shpjegohet me metodën e ndryshme të numërimit për 19 anëtarë të BE-së, monedha e të cilave është euro-ja.

Një normë e tillë inflacioni nuk është parë që nga bashkimi i Gjermanisë në vitin 1990. Ngjashëm ishte në provincat perëndimore të vendit vetëm në dimrin e vitit 1973/1974 gjatë krizës së naftës.

Kur do të reagojnë gardianët e stabilitetit të euros?

Ndërkohë, në horizont është rritja e parë e normës së interesit referencë në eurozonë në 11 vitet e fundit. Banka Qendrore Europiane ka njoftuar se me dy hapa në korrik dhe shtator do të heqë normën aktuale negative të interesit për depozitat prej minus 0.5 përqind. Kjo është në plan sepse banka me një normë interesi më të lartë mund të frenojë rritjen e inflacionit.

Për momentin, ekspertët nisen nga fakti se Banka Qendrore Europiane në mbledhjen e 9 Qershorit do të marrë një vendim fillimisht të ndalojë blerjen e bonove të qeverisë dhe më pas në korrik për herë të parë të rrisë normat e interesit.

Bankat e tjera të mëdha qendrore, si Rezerva Federale e SHBA-së, kanë rritur tashmë normat e interesit mes çmimeve në rritje.

 

Marketing