28.8 C
Skopje

Parlamenti bullgar miratoi heqjen e vetos, pritet që kryeministri Petkov të marrë vendimin qeveritar

Parlamenti bullgar solli rezolutën që miraton heqjen e vetos për fillimin e negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Propozimi kaloi me 170 vota pro, 37 kundër dhe 21 abstenime,

Janë përfshirë kushtet bullgare, përfshirë mosnjohjen e “gjuhës maqedonase”.

Me këtë plotësohet kushti i kryeministrit Kiril Petkov, që Parlamenti bullgar të diskutojë zgjidhjen e propozuar dhe më pas të merret vendim në nivel qeveritar.

Ndryshe, dje anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Bullgarisë debatuan për tre orë e gjysmë për tri zgjidhjet e propozuara për zgjidhjen e kontestit maqedono-bullgar. Pas debatit, Komisioni mbrëmë e miratoi propozimin e liderit të “Bullgarisë Demokratike” Hristo Ivanov, për zgjidhjen e marrëdhënieve Sofje-Shkup.

Sipas BGNES, propozimi është miratuar me votat e GERB-it dhe DPS-së dhe dokumenti i votuar është bazuar në propozimin francez. Partitë “Ka një popull të tillë”, BSP dhe “Prerodba” thanë se nuk do ta mbështesin vendimin sepse dallon nga ai që deri tani e ka miratuar Parlamenti bullgar. Në të njëjtën kohë, ITN theksoi se debati në Komisionin është i pakuptimtë, sepse kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski tashmë e ka refuzuar propozimin.

Me propozimin francez parashikohet që Kuvendi Kombëtar t’i japë mandat qeverisë të miratojë propozimin e presidencës franceze për ndryshimin e projekt-kornizës së negociatave dhe heqjen e vetos ndaj RMV-së.

Propozimi i “Bullgarisë Demokratike” parashikon që ajo të bëhet nën 4 kushtet:

  • rafinimi i tekstit për të siguruar hyrjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut;
  • asgjë në procesin e anëtarësimit të Shkupit në Bashkimin Evropian nuk mund të interpretohet si njohje bullgare e ekzistencës së “gjuhës maqedonase”;
  • të sigurohet që fqinjësia e mirë të mbetet kriter horizontal deri në përfundimin e negociatave të Shkupit me BE-në;
  • rishikimi periodik i zbatimit të marrëveshjes së fqinjësisë të bëhet publik në procesin e negociatave.

Dje, presidenti francez Emmanuel Macron, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e Bashkimit Evropian, tha se ishte në pritje të një vendimi përfundimtar nga parlamenti bullgar mbi propozimin për të zhbllokuar të drejtën e vetos në bisedimet e pranimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Ai tha në një konferencë shtypi pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel se besonte se ishin afër një marrëveshjeje që Shkupi dhe Tirana të ecin përpara me negociatat.

Marketing