29.8 C
Skopje

Nata e sulmit në Oslo, flet dëshmitari i cili vrasësin e pati disa metra larg tij

Orët e para të mëngjesit të së shtunës në Oslo të Norvegjisë u shndërruan në ankth për shumë qytetarë të cilët ndodhën  jashtë, ku ndodhi sulmi ndaj dy lokaleve ku të vrarë mbetën dy persona dhe 21 të tjerë u plagosën. Të gjithë rastin se si ndodhi e pa edhe shqiptari, lokali i të cilit gjendej disa metra më larg vendit ku ndodhi sulmi ka lokalin e tij. Për Portalb.mk ai rrëfen tmerrin që përjetuan atë natë dhe se si ndodhi i gjithë sulmi.

Ai tregon se fillimisht ishte te lokali i tij jashtë dhe e pa vrasësin duke filluar të gjuajë ngadalë, në fillim tregon se nuk arriti ta kuptojë se çfarë ishte, por kur filloi t’i shkojë pak më afër e pa se në dorrë kishte armën me të cilën kreu sulmin.

“Unë isha larg dhjetë metra larg atij (sulmuesit), lokali im është shumë afër nga ku ndodhi sulmi. Të ishte kthyer nga unë do më kishte rrëzuar për toke edhe mua.  Kur i shkova më afër, kur e pashë se e kishte në dorë atëherë filloi të gjuajë përsëri, një nga një. Pastaj u ndala, për një moment thash më mirë të ik dhe të ju them klientëve të ikin”, sqaron dëshmitari për Portalb.mk.

Më tej, ai sqaron se vrasësi shkoi për në drejtim të lokalit Per på hjørnet dhe London Pub Oslo dhe filloi të gjuajë me të madhe.

“Unë ika, i largova klientët në lokal që kisha, u bë panikë e madhe, klientët për një minutë u larguan, disa në të djathtë, disa në të majtë, filloi panikë e madhe, disa filluan të qajnë, ikën u bë katastrofë. U habitën edhe klientët kur brohorita unë me të keq “ikni se do na vrasin”, kur dëgjuan të shtënat filluan të vrapojnë të ikin të gjithë, u bë kaos por ikën menjëherë. Te lokali im nuk ishte kritike, pasi ai gjuajti nga ana tjetër por përsëri, po të kthehej nga ne, tarraca ishte e mbushur plotë me njerëz, do na kishte rrafshuar po të gjuante ka ne, por shkoi ka ana tjetër”, sqaroi dëshmitari për Portalb.mk.

Ai shtoi se njëjti te lokali i tij dhe nga aty pa se si e gjithë kjo ndodhu, pasi vrasësi u largua në drejtim tjetër.

“Kur i mbaroi të gjithë plumbat filloi të ikë, por e kapën menjëherë, njerëzit normal (civilët). Ai i mbaroi plumbat e armës me të cilën gjuajti, por kur e rëzuan njerëzit për toke ai kishte pasur edhe pistoletë, por një grua ja kishte vendosur dorën te pistoleta që mos të gjuajë. Civilët filluan edhe ta godasin me grushte”, tha ndër të tjera dëshmitari në një bashkë-bisedim për Portalb.mk.

Ai thotë se i gjithë rasti edhe pse ka zgjatur pak minuta, për atë duket se ka zgjatur një orë.

“Erdhën të gjithë, policia, ambulanca, zjarrfikësit u bë katastrofë, me të vërtetë si në filma.  I gjithë qyteti është në traumë tani, të gjithë janë shumë të shqetësuar”, përfundon ai.

Përndryshe, dy nga lokalet të cilat u sulmuan mëngjesin e djeshëm në Oslo të Norvegjisë, ku dy persona humbën jetën dhe 21 u plagosën, janë në pronësi të dy shqiptarëve kushërinj nga Tetova. Gjatë sulmit nuk pati të lënduar apo të vratë nga punonjësit e lokaleve.

Autori i dyshuar për sulmin është norvegjezi Zaniar Matapour, 42-vjeçar me origjinë iraniane, i cili është i njohur për shërbimet norvegjeze. Ai u arrestua pesë minuta pas raportimit të të shtënave. Autoritetet norvegjeze dyshojnë se sulmi ka qenë akt terrorist.

Marketing