24.8 C
Skopje

SHBA: I përshëndesim përpjekjet e Francës për të arritur zgjidhje për fillim të shpejtë të negociatave RMV-BE

ShBA-të mirëpresin përpjekjet e Francës për të arritur zgjidhje të suksesshme dhe mbeten të gatshme për të luajtur një rol konstruktiv në lehtësimin e kompromisit, deklaroi për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në pyetjen se si e komentojnë propozimin e Parisit për heqjen e vetos bullgare për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendet e rajonit dhe për Evropën në përgjithësi, shpresojmë që përpjekjet diplomatike do të vazhdojnë dhe do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë aty ku është e nevojshme. E përshëndesim Francën për përpjekjet e saj për të arritur zgjidhje të suksesshme për fillimin e negociatave zyrtare sa më shpejt të jetë e mundur. Negociatat janë ende në vazhdim, ndërsa ne mbetemi të gatshëm të luajmë rol konstruktiv në lehtësimin e kompromisit,” tha zëdhënësi.

Në deklaratë thuhet se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë hedhur themelet dhe se tani është koha për të ecur përpara në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit.

“ShBA-të janë mbështetëse i fortë i integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është tërësisht në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqen afatgjatë, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë rajonin,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se ShBA-të marrin parasysh deklaratat e shumta të bëra nga liderët e BE-së për rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE për forcimin e sigurisë në Evropë, si dhe për sigurinë tonë kolektive..

Propozimi francez u votua në parlamentin bullgar javën e kaluar, ndërsa kryeministri Dimitar Kovaçevski e hodhi poshtë atë si të papranueshëm në formën e tanishme, me mundësinë që bisedimet të vazhdojnë nëse bëhen ndryshime të pranueshme.

Kovaçevski tha se shteti ka tre kërkesa kyçe për kornizën negociuese dhe ato janë njohja e plotë e gjuhës maqedonase, çështjet historike të mos jenë pjesë e kornizës negociuese dhe negociatat të fillojnë para përfshirjes së bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Kushtetutë. Ai konsideron se nevojiten garanci se nuk do të ketë kushte të reja nga Bullgaria dhe Bashkimi Evropian.

Presidenti i Francës Emanuel Macron përshëndeti miratimin e propozimit në Parlamentin bullgar dhe njoftoi se gjatë ditëve në vijim do të vaujdojnë bisedimet me partnerët në Maqedoninë e Veriut.

Marketing