24.8 C
Skopje

Xhaferi tha mendimin e tij për incidentin në Komisionin për çështje europiane

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sot në një konferencë për media, duke komentuar incidentin e fundit të dy ditëve më parë në Komisionin për Çështje Evropiane, tha se nuk e arsyeton sjelljen e kryetarit të këtij Komisioni, Arbër Ademi, por sipas tij, ngjarja fatkeqe është provokuar.

“Nuk kam kompetencë të kërkoj përgjegjësi, ata janë deputetë, e jo administratorë. Leksioni është se kjo nuk guxon të ndodhë në Kuvend dhe nuk do të ndodhë nëse ai që është deputet qëndron i ulur në vendin e tij, tha Xhaferi, duke shtuar se incidentin nuk e ka shkaktuar Ademi, por siç tha ai, “ata që shkuan tek foltorja dhe ata që thyen mikrofonin”.

Xhaferi ka theksuar se edhe pse Ademi ka dhënë një shpjegim, megjithatë ka vlerësuar se nuk është mirë që kjo të ndodhë.

“Askush nuk duhet të reagojë kështu, as qeveria e as opozita. Ai është një individ, nuk e justifikoj, por dërgoj një mesazh që të mos përsëritet, të mos ndodhë dhe nuk do të ndodhë nëse askush nuk provokon. Kjo është Dhoma e Legjislativit, ata janë deputetë dhe kanë përgjegjësi individuale, këto janë rregulloret” – tha Xhaferi.

Sipas Xhaferit, ngjarja duhet parë në tërësi dhe jo vetëm me “sekuenca të prera”. Ai informoi se ka pasur një takim me eurodeputetët dhe i ka njoftuar për incidentin, si dhe u ka dhënë një inçizim integral për vlerësimin e situatës.

Marketing