Ish-prokurorja që sinjalizoi korrupsionin në EULEX fiton gjyqin me qeverinë britanike

0
68

Juristja e së Drejtës së Medias, Flutura Kusari, ka bërë të ditur se ish-prokurorja, Maria Thuraja Bamieh, ka arritur një marrëveshje gjyqësore prej më shumë se 400,000 funte, duke fituar rastin gjyqësor me qeverinë britanike.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari shprehet se ndjehet krenare me Thuraja-Bamieh, gjersa ka përmendur që përgjatë kohës së saj si prokurore, Thuraja-Bamieh kishte alarmuar dyshime për korrupsion në misionin më të madh të jashtëm të Bashkimit Evropian, EULEX, ku për shkak të kësaj i është shkëputur kontrata.

“Sinjalizuesja Maria Thuraja Bamieh ka fituar rastin e saj gjyqësor me qeverinë britanike me të cilën ka arritur marrëveshje gjyqësore. Derisa punonte si prokurore në EULEX, ajo kishte alarmuar për dyshime për korrupsion brenda këtij misioni ndërkombëtar. Asaj i ishte shkëputur kontrata e parakohshëm për shkak të sinjalizimit. Qeveria britanike do t’ia paguajë asaj gjysmë milioni euro”, ka shkruar Kusari në Facebook.

Postimi i Kusarit në Facebook

Ndër të tjera, ajo ka njoftuar se po punohet që Thuraja-Bamieh të sillet në Kosovë për t’iu drejtuar mediave.

Thuraja Bamieh ka deklaruar për “The Guardian” se ajo duhej të ishte lavdëruar për ekspozimin e provave të korrupsionit, por në vend të kësaj, u keqtrajtua dhe u detyrua të largohej nga puna.

“Besoj se duhet të isha lavdëruar dhe mbështetur për ngritjen e shqetësimeve të mia rreth korrupsionit të mundshëm brenda EULEX-it, dhe trajtimit që kam pësuar më pas, por në vend të kësaj u ndjeva e braktisur”, ka thënë ajo.

Bamieh ka shërbyer si prokurore ndërkombëtare për EULEX-in në Kosovë, kur ngriti për herë të parë shqetësimet e saj në mes të vitit 2012. Ajo është marrë me krimet e luftës dhe krimin e organizuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here