Menjëherë pas publikimit të identitetit të personit që qëlloi sot me armë zjarri në Sheshin Skenderbeu ndaj protestuesve që rezultoi të ishte vëllai i u. d drejtor të Higjienës Komunale Zudi Enuzi Koka, njëherit edhe kryetar i degës së ASH në Shkup, kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska ka njoftuar opinionin për shkarkimin e tij nga kjo pozitë.
“Qyteti i Shkupit, si qytet i bashkëjetesës dhe solidaritetit, nuk guxon të jetë qendër dhune dhe përplasjesh me armë zjarri dhe krijimi i tensioneve ndëretnike mes bashkëqytetarëve tanë.
Politika po merr vrull dhe në asnjë rast nuk duhet të ndikojë në profesionalizmin e drejtimit të institucioneve.
Pavarësisht menaxhimit të shkëlqyeshëm dhe profesional të ndërmarrjes publike Higjiena Komunale nga Zudi Enuzi, kodi im i etikës nuk e lejon atë të vazhdojë të menaxhojë ndërmarrjen. Për këtë arsye ai u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës” – ka njoftuar kështu Danela Arsovska kryetare e Qytetit të Shkupit.