Hoxha Musliu: Xhamitë në Kosovë gjithmonë kanë shërbyer për atdhedashuri

0
75

Teshat e bukura e aroma e miskut mbizotëron në secilën shtëpi.

E çdo shtëpi pret për vizitë të afërmit për të festuar Kurban Bajramin ose siç njihet ndryshe festa e flijimit.

Kjo festë kremtohet që nga koha e Profetit Ibrahim, i cili ishte i gatshëm të sakrifikonte djalin e tij si vepër nënshtrimi ndaj Zotit, por që kjo sakrificë u ndalua përmes engjullit Xhebrail dhe flijimi iu pranua.

E sipas Hoxhës Osman Musliu besimtarët islam që nga ajo kohë e deri tash prejnë kurban një kafshë, e cila duhet të ndahet në tre pjesë dhe një nga to t’u dhurohet të varfërve.

“Në gjuhën shqipe quhet festa e sakrificës, e historia e Kurbanit është shumë e hershme, prej Ademit Alejhiselam e deri te pejgamberi ynë i fundit Muhamedi Alejhiselam, të gjithë pejgamberët kanë pasur Kurban. Myslimanet që e kanë nisabin 92.5 gram ari, domethënë kjo thirret Nisab, e kanë me borgj me pre Kurban, prerja e tij fillon menjëherë pas faljes së namazit të bajramit”, u shpreh Musliu, për RTV Dukagjinin.

Hoxhë, Osman Musliu gjatë intervistës në RTV Dukagjini

Musliu shton se për këtë festë qytetarët nuk duhet të harrojnë t’i vizitojnë të afërmit e tyre.

Hoxha nga Drenasi foli edhe për rëndësinë e festave islame, ku tha se ato por edhe xhamitë e hoxhallarët kanë shërbyer për ngritjen e patriotizmit.

“Ka pasur prej atyre hoxhallarëve që vërtet janë kanë shumë atdhetar edhe shumë fetar edhe kanë kontribuar në aspektin kombëtar shumë, edhe e kanë ngrit nivelin e popullatës. Kurrë se harroj kur i kemi mbajt zgjedhjet e para i kemi mbajt në Xhami të fshatit Peqan edhe rojet kanë hyp në minare lart me i përcjellë policinë, se pozita gjeografike e Peqanit ka mundësi prej Suharekës me u vëzhgu nëse vjen ndonjë kerr i Policisë”, deklaroi Musliu.

Por edhe pse hoxhë, Musliu thotë se ka shumë miq të besimit katolik, e për t’i nderuar kishte marrë pjesë edhe në meshë.

Hoxhë, Osman Musliu gjatë intervistës në RTV Dukagjini

“Na thirri Ipeshkvia në Kishën e Sallagrazhdës me marrë pjesë, shkuam ne krejt hoxhallarët e Suharekës 15 a 16 sa ishim, edhe unë po i them njërit prej priftërinjve që ne i dimë disa rregulla të meshës, për arsye se ne hoxhallarët edhe ato punë i dijmë, mirëpo kur duhet me u qu në këmbë ti ma bën mua me krye edhe qohem, edhe tash kur u qojshin ata në këmbë u qojshim edhe na, ishim të ulur në rendin e parë në kishë, edhe kur dolëm jashtë njëri po më thotë Mulla Osman a u bëtë katolik, thash nuk jemi bërë katolik por është detyrë me e nderu vëllaun tënd”, tha Musliu.

Musliu foli edhe për familjen, sipas të cilit  është në qendër të gjithçkaje.

Osman Musliu që nga përfundimi studimeve në Medrese ka shërbyer si Hoxhë.

Për 13 vite ai ka shërbyer në fshatin Peqan të Suharekës, ndërsa që nga viti 1997 ai ka shërbyer në qytetin e tij Drenas.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here