“Beteja të forta kemi përpara”, çfarë po paralajmëron Meta: Një agim i ri nis nesër

0
163

Sot është dita e fundit e Ilir Metës si president i Republikës së Shqipërisë. Kanë mbetur vetëm pak orë që ai t’i dorëzojë detyrën pasardhësit të tij Bajram Begaj, i cili do të betohet fillimisht në Kuvend.

Herët sot, Meta zgjodhi që të përshëndesë qytetarët shqiptarë në një postim të fundit si kryetar shteti në faqen e tij zyrtare në Facebook. Ai u shpreh se ka qenë nder dhe privilegj që t’i shërbente vendit në këto pesë vite të mandatit.

Lexo edhe: Lë sot detyrën, Meta mesazh shqiptarëve: Ishte nder t’i shërbeja vendit, uroj më të mirën për kombin tonë

Nga nesër, sikurse e ka paralajmëruar, duket se nis një tjetër sfidë për Ilir Metën. I cilësuar si president “opozitar”, Meta do t’i kthehet betejës kundër Edi Ramës, me të cilin ka pasur përplasje të forta gjatë këtyre viteve, por këtë herë si kryetar i një partie opozitare. Pritet që në Konventën Kombëtare të LSI, që mbahet nesër ai të rikthehet si kryetar i saj.

Ndërkaq, në postimin e tij të fundit në rrjetet sociale, Meta ka zgjedhur që t’ju përgjigjet komenteve të qytetarëve, duke dhënë më shumë detaje për rrugën e tij të re. Ai ka shkruar se beteja të forta ka përpara, ndërsa një falënderim ka edhe për “popullin e 2 marsit”.

“Beteja të forta kemi përpara. Por a mund të arrish në maja pa bërë edhe pak malore? Malet tona më të larta! Një agim i ri nis nesër që do të rikthejë demokracinë dhe Llogaridhënien”, ka shkruar presidenti Meta.

“E ndjeja përkrahjen e të gjithë shqiptarëve të ndershëm. Mirënjohje në veçanti për popullin e 2 Marsit për ndërgjegjen e lartë patriotike që tregoi”, shkroi Meta.

g.v/abcnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here