Shkupi sot përkujton 59 vjetorin e tërmetit katastrofik, ku u regjistruan 1070 viktima

0
74

Sot Shkupi do të shënojë 59 vjetorin nga tërmeti katastrofik i vitit 1963, kur u zgjua në rrënoja, tërmet në të cilin humbën jetën 1070 persona dhe u plagosën 3000.

Tradicionalisht, delegacione zyrtare, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë do të vendosin lule para Monumentit të viktimave të tërmetit katastrofik në varrezat e qytetit në Butel.

Tërmeti katastrofik në Shkup ka ndodhur më 26 korrik 1963 në orën pesë e 17 minuta, ndërsa lëkundje më të vogla ka pasur deri në orën pesë e 43 minuta. U rrënuan 15800 apartamente dhe u dëmtuan 28000 të tjerë.

Mbi 200,000 njerëz mbetën të pastrehë. Që nga tragjedia e Shkupit, e gjithë bota ishte e shqetësuar dhe e angazhuar. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar apeloi te të gjitha organizatat kombëtare që të organizojnë ushqime për fëmijët e Shkupit.

Unioni Ndërparlamentar u ka bërë një rekomandim të gjitha parlamenteve dhe qeverive për të ndihmuar në rindërtimin e qytetit.

Organizatat humanitare në shumë vende filluan të mbledhin ndihma për Shkupin, kështu Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar.

Menjëherë pas katastrofës, Kombet e Bashkuara ndërmorën veprime për të ofruar ndihmë të planifikuar dhe afatgjatë për qytetin e shkatërruar.

Në kohën kur ekipet e ekspertëve të OKB-së filluan të mbërrijnë në Shkup, në selinë e organizatës ndërkombëtare u tha se Shkupi do të jetë monument i solidaritetit njerëzor.

Më 14 tetor, pas një diskutimi dyorësh, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri një Rezolutë për t’i ofruar ndihmë qeverisë jugosllave në rindërtimin e Shkupit.

Në debatin për dhënien e ndihmës për Shkupin, Asambleja e Përgjithshme dëgjoi prezantimin e përfaqësuesve nga mbi 20 vende nga të gjitha kontinentet.

Ajo ditë mbeti në organet e Kombeve të Bashkuara si dita e Shkupit.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here