RMV me ambasador të ri britanik në vend të Rachel Galloway

0
109

Presidenti Stevo Pendarovski sot pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Matthew Lawson.

Në ceremoninë solemne, presidenti Pendarovski theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar, duke vlerësuar se Mbretëria e Bashkuar ka luajtur një rol vendimtar në zhvillimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut si demokraci evropiane.

“Vlerësojmë veçanërisht marrëdhëniet e forta të partneritetit që kultivojmë në kuadër të NATO-s, sidomos në një kohë kur po përballemi me sfida serioze të sigurisë globale. Ju siguroj se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të kontribuojë aktivisht në të gjitha proceset e ardhshme paqësore si vend aleat dhe partner i NATO-s dhe në interes të mirëqenies së kontinentit evropian dhe më gjerë”, tha presidenti Pendarovski.

Në ceremoni, ambasadori Lawson theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë vërtet të rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar.

“Rrisim mbështetjen tonë për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin në mënyrë që të mbështesim përpjekjet tuaja për të ndërtuar prosperitet në fqinjësi të sigurt dhe të qëndrueshme. Suksesi në këto fusha gjithashtu do të jetë në dobi të Britanisë së Madhe dhe Evropës në tërësi”, tha ambasadori Lawson.

Presidenti Pendarovski i uroi ambasadorit Lawson kryerje të suksesshme të misionit të tij të rëndësishëm diplomatik.

Lawson vjen në Shkup pasi ka shërbyer si ambasador në Dushanbe, Taxhikistan. Në biografinë e tij thuhet se ai ka shërbyer edhe si zëvendës shef i misionit britanik në Bosnjë dhe Hercegovinë nga viti 2015 deri në vitin 2018, ndërsa ka pasur shërbim diplomatik edhe në Kanada nga viti 2013 deri në 2015.

Ambasadori i ri britanik shërbeu gjithashtu si shef i Repartit për Azinë Jugore dhe Afganistan në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Commonwealth nga 2009 deri në 2011.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here