“Maqedonia e Veriut është në Europë | Jeni një hap më afër qëllimit”

0
82

-Maqedonia e Veriut është në Evropë, si gjeografikisht ashtu edhe historikisht dhe tani jeni një hap më afër qëllimit tuaj të dëshiruar. Mund të konsideroni në mbështetjen e Spanjës në hapat e juaj të ardhshëm drejt anëtarësimit në BE. Ju mbështesim dhe do të vazhdojmë t’ju mbështesim, tha kryeministri i Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sançez Perez-Kastehon.

Vizitën në rajon ai e vlerësoi si simbolike për dy arsye kryesore – së pari se para disa ditësh është zhbllokuar procesi i fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në dhe së dyti, siç tha ai, “unitetit kundër agresionit brutal të Putinit në Ukrainë”.

“Mirënjohje për përgjegjësinë tuaj që vendosët të ardhmen e vendit dhe vizionin tuaj evropian para çdo interesi tjetër. Bëtë zgjidhjen e duhur, zhbllokuat rrugën që do ta çojë Maqedoninë e Veriut në vendin ku duhet të jetë”, tha kryeministri spanjoll në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin nikoqir Dimitar Kovaçevski.

Pedro Sançez Perez-Kastehon madje porositi se nga përvoja spanjolle me reformat për hyrje në BE është ajo se gjithmonë ia vlen të jesh pjesë e projektit evropian dhe politik – BE.

“Jam i bindur se Maqedonia e Veriut sa më shpejt do të jetë pjesë e saj”, tha tutje Sançez.

Ne jemi dy vende nga jugu i Evropës, theksoi madje Sançez Perez-Kastehon dhe interesat dhe vlerat tona janë të përbashkëta.

Kryeministri Kovaçevski nga ana tjetër porositi se vizita e sotme është simbol i gati 30 viteve të marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale mes dy vendeve duke shprehur mirënjohjen mbi mbështetjen e fuqishme të Spanjës ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

“Me fillimin e negociatave identiteti ynë, veçantia jonë, ajo që është karakteristike maqedonase, do të mbetet autentik maqedonase edhe në BE nga njëra anë, ndërsa do ta pasurojë identitetin kompleks evropian nga ana tjetër”, theksoi Kovaçevski.

Ne e përjetojmë moton evropiane çdo ditë, shtoi Kovaçevski duke theksuar se shoqëria jonë multikulturore, multietnike është e bashkuar në diversitetet dhe është krenare për të.

“Ne jemi të gatshëm për BE dhe me hapa të fortë ecim përpara drejt anëtarësimit të plotë në Union. Ai është një proces nga i cili nuk tërhiqemi, pasi vendi jonë është në BE. Përmbyllëm një kapitull dhe hapim një të ri, atë evropian, ku do të ndajmë të ardhme evropiane me miqtë tanë, siç është Spanja”, deklaroi Kovaçevski.

Kovaçevski poashtu tha se vizita vjen në një moment pozitiv pro-evropian për Maqedoninë e Veriut ku siç tha, “planifikojmë ta forcojmë gjatë presidencës spanjolle me BE-në”.

Vizita e Pedro Sançez Perez-Kastehon në vend është pjesë e turneut të tij nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshinë edhe Serbinë, Bosnje e Hercegovinës, Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Sançez, pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski është takuar edhe me presidentin e vendit, Stevo Pendarovski.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here