Lojëra lufte mbi Tajvanin: Ushtrime apo përgatitje për një pushtim të plotë të ishullit?

0
101

Pasi Kina filloi zyrtarisht stërvitjet rreth Tajvanit, dhe pasi të paktën 11 raketa u hodhën në det, shumë analistë po bëjnë pyetjen – a është i mundur një pushtim kinez i Tajvanit?

Shumë shpejt pasi Nancy Pelosi u largua nga Tajvani, Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës njoftoi se raketat e saj kishin goditur me saktësi objektivat e tyre gjatë stërvitjeve, megjithëse pesë raketa goditën gjithashtu ujërat japoneze.

“Ushtria kineze i quajti stërvitjet një prelud për një shfaqje më të madhe të forcës që synonte të ndëshkonte Tajvanin për vizitën e Pelosit. Stërvitjet pritet të zgjasin 72 orë, duke lejuar forcat kineze të provojnë më tej manovrat për të sulmuar ishullin nëse ndonjëherë u nevojiten”, shkruan New York Times.

Natyrisht, ashtu si në rastin e Rusisë dhe Ukrainës dhe qëndrimin e Vladimir Putinit, plani kur bëhet fjalë për aktivitetet kineze rreth Tajvanit është ndoshta i njohur vetëm për presidentin e Kinës, Xi Jinping.

Ai ka thënë se përfundimisht do të bashkojë Tajvanin dhe Kinën në mënyrë paqësore. Ashtu si paraardhësit e tij, megjithatë, Xi nuk e ka përjashtuar forcën dhe ngritja ushtarake e Kinës ka arritur në pikën ku disa komandantë e shohin një pushtim si një skenar gjithnjë e më të mundshëm, por ende të rrezikshëm.

Kur bëhet fjalë për vendndodhjet e ushtrimeve rreth Tajvanit, analistët besojnë se ato janë zgjedhur me kujdes.

“Gjashtë zonat për stërvitjet kineze u zgjodhën për shkak të rëndësisë së tyre në skenarin e mundshëm të mbylljes së Tajvanit dhe refuzimit të ndërhyrjes së huaj”, tha gjeneralmajor Meng Xiangqing.

Një nga zonat ku ushtria kineze do të zhvillojë stërvitje mbulon pjesën më të ngushtë të ngushticës së Tajvanit. Një tjetër mund të përdoret për të bllokuar një port të madh ose për të sulmuar tre bazat kryesore ushtarake të Tajvanit. Vendndodhja e tretë është e drejtuar drejt Tajvanit jugor.

“Prisni dhe shikoni. Kjo është hera e parë që ushtria do të zhvillojë një stërvitje ushtarake në të gjithë Tajvanin. Duhet thënë se edhe pse kjo është një stërvitje që i ngjan një lufte të vërtetë, ajo mund të kthehet në luftim të vërtetë në çdo moment”, tha gjenerali.

Gjithashtu, një nga lokacionet ku do të zhvillohen stërvitjet ndodhet pranë bregut lindor të Tajvanit, pika më e largët nga kontinenti kinez. Edhe pse Kina ka zhvilluar stërvitje të ngjashme edhe më parë, analistët theksojnë se ushtria e vendit nuk ka shkuar kurrë kaq larg.

“Është një mesazh i qëllimshëm që synon të nxjerrë në pah kapacitetin e rritur të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës dhe një sinjal i qartë se Kina mund të rrethojë Tajvanin. Do të ndërlikonte gjithashtu trafikun rreth ishullit nga të gjitha anët”, tha analisti Brian Hart. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here