Policia parandalon kontrabandën me kafshë nga Serbia

0
97

Patrullat policore kufitare (Drejtoria Rajonale Kufitare Lindje), sot rreth orës  10:40, përmes rrugëve operative kanë pranuar informatë se nga territori i Serbisë, përmes rrugëve malore, është kryer kontrabandë me mallra (kafshë).

Sipas një njoftimi thuhet se njësitë policore kanë reaguar në këtë rast dhe në fshatin Hodonovc të Kamenicës, kanë hasur në dy automjete me të cilat po barteshin kafshët.

Në njoftim bëhet e ditur se shoferi i njërit automjet, me të vërejtur patrullën e policisë, ka devijuar rrugën dhe ka hyrë në një rrugë dytësore, duke e lënë automjetin dhe ka ikur arave.

“Në automjet kishte të ngarkuar kafshë, gjashtë dele dhe një viç. Po ashtu është hasur edhe automjeti (furgon) i braktisur dhe në të kishte dy lopë. Pra, në dy automjetet kishte gjashtë dele, dy lopë e një viç”, thuhet në njoftim.

Tutje sipas njoftimit, në polici, më pas janë paraqitur dy personat e dyshuar (drejtuesit e automjeteve), F.B., (32 vjeçar, mashkull kosovar) dhe F.B., (37 vjeçar, mashkull kosovar).

Ndërkaq, rreth rastit janë njoftuar inspektorët e AUV-i për verifikim dhe kontroll të gjendjes së kafshëve.

Rasti është u trajtuar nga hetuesit policorë të Drejtorisë Rajonale Lindje në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here