“Nëse i prejmë pemët, ia marrim frymën gjeneratave tona”, flet aktivistja Kartallozi për shpyllëzimin në Kosovë dhe fushatën #mosemerrmalin

0
109

Prerja e drunjve dhe shpyllëzimi me vite është temë diskutimi në shoqëri dhe kudo në botë, kjo pasi ndikon drejtpërdrejt edhe në shëndetin e njeriut.

Në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com për ruajtjen e prerjes së pyjeve dhe rëndësinë e tyre ka folur Indira Kartallozi nga Sustainability Leadership Kosova.

Kartallozi ka treguar për fushatën #mosemerrmalin dhe nismat për të mbrojtur pyjet dhe natyrën e Kosovës.

“Ne jemi SLK, që d.m.th. cilësi për qëndrueshmëri në Kosovë. Jemi organizatë joqeveritare dhe të gjitha aktivitet tona përcillen përmes tri komponentëve. E para është njohuria apo edukimi i shoqërisë me çështjet e qëndrueshmërisë, në të hyjnë kriza globale që i kanosen jo vetëm planetit, jo vetëm shoqërisë por edhe ekonomisë dhe gjithashtu krizat klimatike dhe ndryshimet klimatike. Çka do të thotë humbja e diversitetit, çfarë do të thonë humbjet e burimeve natyrore apo përdorimi i tepruar i burimeve natyrore. Kështu që këto tema zhvillohen në bazë të shkencës dhe trajtohen përmes njohurive të ndryshme të cilat deri më tani kanë pas sukses mjaft të veçantë”, ka treguar Kartallozi.

Indira Kartallozi në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com/ Foto: Ridvan Slivova 

Sipas saj, fushata është krijuar në bazë të analizës dhe hulumtimeve që kanë bërë si organizatë.

“Duke punuar me aktivistë kemi diskutuar për emrin e kampanjës. Kemi diskutu se sa e marrim malin ne kur jemi me gjendje shëndetësore. Mos e merr malin, mos e merr lumin, drutë, etj”, tha ajo.

Mirëpo, sa janë të vetëdijesuar qytetarët për rëndësinë e pyjeve? Kartallozi tha se vetëdija e qytetarëve viteve të fundit është pak më e lartë.

Indira Kartallozi në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com/ Foto: Ridvan Slivova 

Por ajo e ngriti shqetësimin tek institucionet qeveritare, pasi siç tha ajo është nevojë emergjente që të mbrohen pyjet në vend.

“Vetëdijesimi i degradimeve ambientale është pak më i lartë këto vite se që kur kemi filluar në vitin 2015. Kështu që interesimi për këto çështje nuk ka nivel apo urgjencë të mjaftueshme. E sa i përket pyjeve në këtë rast neve na duhet një urgjencë nga institucionet qeveritare. Ka punë, janë duke u përgatitur shumë gjëra dhe strategji për menaxhimin e pyjeve, janë duke u përgatit strategji të ndryshimeve klimatike se çfarë duhet të ndodh, mirëpo janë duke shku ngadalë”, u shpreh ajo.

Kartallozi po ashtu tregoi interesimin që kanë njerëzit kudo në botë për mbrojtjen e pyjeve si dhe rëndësinë që kanë ato.

“Duke marr parasysh që komuniteti global i kushton rëndësi të veçantë mbjelljes së pyjeve për shkak se komplet e ndryshojnë dhe e cila ndikon në planet, janë duke i kushtu rëndësi të veçantë, duke marr parasysh që krejt ekosistemi global krijohet nga pyjet”.

Ndërsa tha se është tepër me rëndësi që të ndalohet shpyllëzimi, pasi pemët janë të vjetra në Kosovë.

“Edhe për Kosovë është tepër me rëndësi që të ndalohet shpyllëzimi, për shkak se këto pemë që i kemi ne janë të vjetra, kanë kapacitet të pastrojnë karbonin, të na e pastrojnë ajrin. Nëse i presim këto pemë, atëherë po ia presim vetes oksigjenin, dhe frymën. Jo vetëm vetes por dhe gjeneratave tona të ardhshme, d.m.th. fëmijëve. Duke ua pre frymën popullit, gjithashtu ia dëmtojmë shëndetin, që do ti kushtoj ekonomisë, do ti kushtoj shëndetit të njerëzve. Por do të ketë dhe ndikime tjera në ekonomi. Shpyllëzimi në Kosovë shihet më shumë në zonat kufitare më shumë”, tha ndër të tjera Kartallozi.

Ndryshe, Sustainabiluty Leadership Kosova është organizatë joqeveritare vendore e specializuar në shpërndarjen e njohurive për qëndrueshmëri përmes programeve edukative e konsulencës. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here