Njihuni me “arkitektin” e kundërofensivës ukrainase, burri që iu kundërvu dhe zmbrapsi rusët

0
183

Në kohën kur po zhvillohet kundërofensiva e ushtrisë ukrainase, trupat ruse kanë filluar të tërhiqen nga rajoni Kharkivit.

Siç raporton Bild, personi përgjegjës për sulmin e ofensivës është kreu i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, Valerii Zaluzhnyi, që organizoi mbrojtjen e Kievit në ditët e para të pushtimit rus në Ukrainë, transmeton Telegrafi.

Kush është Valerii Zaluzhnyi?

Washingtoni, Moska dhe shumica e botës kanë pritur që Rusia do të shkatërrojë ushtrinë ukrainase për pak ditë. Por jo edhe Valerii Zaluzhnyi, kreu i forcave të armatosura të Ukrainës, një strateg i betejave që çoi deri te momenti që trupat ruse të tërhiqen – të mposhtur dhe poshtëruar, shkruan Politico.

Nëse një personi do t’i atribuoheshin sukseset e deritanishme të ushtrisë ukrainase, mbrojtja e Kievit dhe ruajtja e kontrollit në shumicën e qyteteve – ai është Zaluzhnyi, 48-vjeçar me gradën e gjeneralit, që lindi nga një familje me traditë ushtarake – kurse presidenti Volodymyr Zelensky vitin e kaluar e emëroi në krye të forcave të armatosura. Zaluzhnyi dhe eprorët e tjerë të lartë ushtarak të Ukrainës, ishin përgatitur për luftë të hapur me Rusinë që nga viti 2014.

Ndryshe nga, për shembull, Norman Schëarzkopf, i cili udhëhoqi trupat amerikane në luftën e parë në Gjirin Persik, ose David Petraeus, i cili udhëhoqi luftën në Irak dhe mori nofkën Mbreti David, Zaluzhnyi kryesisht shmangu vëmendjen dhe famën e komandantit ushtarak, duke u larguar nga ai rol dhe ia dorëzuar Zelenskyn, ish-aktorit dhe komedianit që fitoi vëmendjen e opinionit.

Gjenerata e re e oficerëve ukrainas

Zaluzhnyi mishëron shumë gjeneratën e re të oficerëve ukrainas që “provuan” luftën e dhimbshme tetëvjeçare në Donbas, e kur nuk janë në front, gjenden në terrene stërvitjeje në gjithë Evropën duke u stërvitur me forcat e NATO-s. Këto përvoja tejkaluan shumë regjime autoritare të prodhuara nga dekada të trajnimit ushtarak sovjetik, shkruan Politico.

Ky bashkëpunim me NATO-n formoi një grup oficerësh profesionistë, që aspironin standardet perëndimore dhe ndihmuan në ndërtimin e një mënyre të luftës së decentralizuar, të fuqizuar dhe shumë më të shkathët sesa atë të modelit rus, që u zhyt në baltën e Ukrainës.

“Sigurisht se mund të flasë shumë për Zaluzhnyi jo vetëm si person, por edhe si përfaqësues i gjeneratës së re të oficerëve të ushtrisë ukrainase”, tha Oleksii Melnik, ish-oficeri i forcave ajrore ukrainase që tani është drejtor i programit ndërkombëtarë për siguri në qendrën Razmukov, organizatë think tank me seli në Kiev.

Në shtator të vitit të kaluar, dy muaj përpara se administrata e presidentit amerikan Joe Biden të fillonte me paralajmërimin për një pushtim rus, dhe të ndante informacionet e inteligjencës për grumbullimin e trupave ruse në kufijtë e Ukrainës, Zaluzhnyi hartoi planin për mbrojtje dhe kundërsulme.

Përgatitja për luftë

“Për këtë kam folur që kur kam marrë detyrën, pasi bëhet fjalë për një agresion të shkallës së gjerë. Prandaj, detyra jonë si forcë e armatosur nuk është të presim ndihmë nga qielli. Ne duhet të përgatitemi. Dhe këtë po e bëjmë. Po kryejmë një sërë stërvitjesh, duke përfshirë ato me partnerët tanë perëndimorë dhe anëtarët e NATO-s. Po bëjmë gjithçka për ta bërë armikun më pak të gatshëm të zbatojë skenarin e planifikuar”, tha Zaluzhnyi gjatë një interviste dhënë për Radio Evropa e Lirë.

Në janar, Zaluzhnyi bisedoi me Komitetin ushtarak të NATO-s, organin më të lartë të oficerëve të Aleancës Veri-Atlantike, ku u tha se ushtria ukrainase ishte gati.

“Ua rikujtova aleatëve se lufta jonë po vazhdon nga viti 2014 dhe se kemi bërë punët tona që atëherë”, tha ai për agjencinë kombëtare të lajmeve Ukrinform pas këtij takimi.

Skenari i “agresionit në shkallë të gjerë” u bë realitet më 24 shkurt, pasi tanket ruse u futën në Kiev dhe raketat goditën objektivat në të gjithë Ukrainën. Por përgatitjet për një luftë gjithëpërfshirëse vazhduan kur trupat ruse pushtuan Krimenë në vitin 2014- duke aneksuar gadishullin dhe e shndërruan Donbasin në një zonë të përhershme luftarake.

Gjatë viteve në vijim, SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja, Polonia, Lituania dhe aleatët e tjerë të NATO-s hapën qendra trajnimi në pjesën perëndimore të Ukrainë – duke përfshirë qendrat e forcave speciale.

Përvoja në fushëbetejë kundër rusëve

Trajnimi dhe përvoja në fushëbetejë kundër rusëve dhe aleatëve të tyre separatistë në Donbas, i mundësuan komandantëve të njësive të vogla dhe të shpërndara të mendojnë për veten, duke çmontuar modelin e vjetër sovjetik nga lart-poshtë të udhëheqjes që paralizoi trupat ruse dhe detyroi gjeneralët e lartë të afroheshin në vijën e parë, ku disa prej tyre u vranë.

“Ukrainasit mund të mbeten në ofensivë”, i tha Politicos një zyrtar i mbrojtjes amerikane, duke shtuar se që nga viti 2014, ukrainasit kanë qenë në gjendje të përshtaten më mirë dhe të reagojnë në mënyrë që nuk kanë mundur më parë.

Fleksibiliteti është bërë një armë kyçe kundër një sulmi rus që ka një forcë më të madhe dhe më të aftë, por që është kufizuar nga politikat e ashpra.

Zaluzhnyi ka lindur në korrik të vitit 1973, kur babai i tij u vendos në garnizonin në Novohrad-Volynskyi, një qytet në rajonin Zhytomyr në pjesën veriore të Ukrainës, rreth 400 kilometra në perëndim të Kievit.

Ndoqi studimet në Institutin e Forcave Tokësore në Akademinë Ushtarake në Odessa dhe Akademinë Kombëtare të Mbrojtjes në Kiev, ku u diplomua në vitin 2007. Aty pasuan një sërë detyrash, duke përfshirë edhe postin e komandantit të brigadës së motorizuar. Zaluzhnyi në vitin 2014, disa muaj pas revolucionit në Maidan detyroi presidentin e atëhershëm Viktor Janukovich, të ikte në Rusi derisa lufta në Donbas u intensifikua.

U dërgua në lindje të vendit për të udhëhequr me njësitë luftarake në luftimet aktive, ku Zaluzhnyi komandoi një brigadë në gusht të vitit 2014 duke u vendosur në Debaltsevo, ku pas betejave të përgjakshme, forcat ukrainase pësuan humbje të mëdha.

Nevoja urgjente për të shmangur humbjet e mëtejshme në Debaltsev rriti presionin mbi presidentin e atëhershëm ukrainas Petro Poroshenko që të nënshkruaj marrëveshjen e paqes Minsk 2, me kushte që rezultuan jo edhe aq të favorshme.

Në vitin 2019, u emërua në krye të Komandës Operative Veriore të ushtrisë ukrainase, me bazë në Chernihiv, në vendlindjen e nënës së tij në veri të Ukrainës, pranë kufirit me Bjellorusinë, ku kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij.

Në një intervistë të dhënë në shkurt të vitit 2020 për ArmyInform, që poston lajme kryesisht ushtarake, Zaluzhnyi ka përshkruar se si nga fëmijët ëndërronte të jetë ushtarë dhe nuk priste se një ditë do të bëhej komandant i përgjithshëm.

“Nuk kam pritur që do të bëhem gjeneral”

“Avancimet e mia ishin të vazhdueshme, nga njëri post në tjetrin, por kurrë nuk prisja të bëhesha gjeneral dhe të arrija grada të larta”, tha ky gjeneral i ushtrisë ukrainase.

Avancimi i Zaluzhnyi në poste të larta ishte gjithashtu pjesë kyçe e përpjekjes për ristrukturimin e udhëheqjes që ndau detyrat operacionale dhe përgjegjësitë e planifikimit brenda shtabit të përgjithshëm.

Ai gjithashtu përkoi me fushatën e gjerë për modernizim, ku ushtria ukrainase aplikoi teknika të reja luftarak, më kreative, të bazuara në përvojën luftarake kundër një armiku real dhe jo teorik.

“Duam të largohemi nga hartat, nga shkrimi i urdhrave të betejës sikur të ishim në vitin 1943”, tha Zaluzhnyi në intervistën e dhënë për ArmyInform.

Një ish-oficer i forcave speciale amerikane, i cili ka parë ndryshimet në forcat speciale ukrainase gjatë viteve, ka thënë se deri në vitin 2020, komandot ukrainase “dukeshin, nuhasnin dhe shijonin sikur forca speciale perëndimore”. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here