Osmani: Trendet e bashkëpunimit me Bullgarinë janë pozitive

0
81

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani ka deklaruar se edhe përskaj, raporteve të javëve të fundit, trendi i bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është pozitiv. Në një intervistë të dhënë për televiozionin bullgar NOVA, rreth sulmeve ndaj klubeve bullgare në vend, Osmani tha se, këto janë provokime që tentojnë t’i përkeqësojnë raportet mes dy shteteve. Sipas tij, kjo nuk paraqet qëndrim të shtetit apo shoqërisë ndaj komunitetit bullgar.

“Vlerësoj se kjo që po ndodh javët e fundit në raportet tona, unë i përshkruaj si after shock i tërmetit të madh të raporteve që i kemi në dy -tre vitet e fundit. Nëse i shohim linjat thelbësore të bashkëpunimit, trendet janë pozitive. Po, ka probleme, ka sfida, megjithatë, ne jemi këtu për t’i tejkaluar”, deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Ministri më tej ka shtuar se, ka grupe të interesuara edhe brenda shtetit edhe jashtë të cilët nuk duan që të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. I pyetur nëse këto sulme i nxit opozita maqedonase, ai tha se nuk mund ta thotë se kush ka nxitur, por porositi opozitën që të jetë e kujdesshme me retorikën e saj.

“Nuk mund të them, por edhe opozita duhet të jetë shumë e kujdesshme në lidhje me atë se si i paraqet këto qëndrime në agjendën e saj politike, sepse ajo ndonjëherë krijon kontekst të cilin dikush mund ta keqpërdorë”, u shpreh Osmani.

Klubet kulturore bullgare që janë hapur në vend kanë qenë shpesh herë shënjestër e sulmeve. Vetëm javën e fundit, klubi bullgar në Ohër u sulmua dy herë, ndërsa herën e fundit ishte përdorur edhe armë zjarri. Në lidhje me këtë kishte reagime të shumta, ndërsa Ministria e Jashtme e Bullgarisë dërgoi edhe notë proteste./KlanMacedonia

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here