Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 25 vjet burg, 70 vjeçarin Izet Godeni, i cili në nëntor të vitit të kaluar kishte vrarë me sëpatë gruan e tij 63 vjeçare.
Sipas njoftimit të Gjykatës, në seancën e parë më 30 maj, Godeni e kishte pranuar fajësinë për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
“I akuzuari I.G me datë 25.11.2022 rreth orës 04:00, në shtëpinë e tij në Prishtinë, në mënyrë mizore dhe dinake, kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G, në atë mënyrë që derisa e ndjera kishte qenë duke fjetur, i akuzuari e kishte goditur me sëpatë disa herë në pjesën e majtë të kokës dhe si pasojë e këtyre goditjeve, e ndjera S.G kishte ndërruar jetë. Kjo gjendje faktike është vërtetuar pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari dhe provat materiale që gjenden në shkresat e lëndës”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Arbresh.info