Pa Champions League dhe ndoshta pa Europë sezonin e ardhshëm skuadra e Juventus përgatitet për një revolucion të madh këtë verë. Pas largimit të argjentinasit Angel Di Maria, edhe 5 lojtarë të tjerë janë me valixhet gati, të sigurtë që do të lënë Torinon këtë verë.
Zakaria, Pellegrini, Pjaca, Arthur dhe Bonucci nuk do të jenë më pjesë e skuadrës bardhezi sezonin tjetër. Të pestë lojtarëve u është komunikuar largimi edhe pse të gjithë kanë qenë këto dy ditë në vizitat e detyrueshme mjekësore që lojtarët kryejnë para fillimit të sezonit të ri.
Për këta lojtarë, Juventus pret ofertën e duhur për t’i lënë të lirë. Ndërsa në hyrje Juventus nuk arriti të marrë një nga objektivat kryesorë, Milinkovic-Savic, i cili zgjodhi Arabinë Saudite për të vijuar karrierën.
Por edhe Pogba është joshur shumë nga milionat që vijnë nga ky vend dhe nuk është çudi që francezi të largohet. Gjithsesi, në këtë rast Zonja e Vjetër duket e përgatitur, nëse Pogba largohet, atëherë do të vijë Kessie, me Barcelonën që nuk e ka në planet e veta.
Ndërkohë, drejtuesit e Juventus u kanë rezistuar deri tani tentativave për t’i marrë Vlahovic dhe Chiesan, kjo edhe për faktin se serbi nuk do të shitet poshtë 90 milionë eurove, ndërsa italiani vlen të paktën 70 milionë.