AFROHET SEZONI I DASMAVE: Apele të mos festohet me armë

Sipas hulumtimeve të kryera në mbarë botën, të shtënat në ajër nga një armë ose pushkë është jashtëzakonisht e rrezikshme, sepse plumbat e shkrepur mund të bien me një shpejtësi prej rreth 300 kilometra në orë dhe mund të vrasin lehtësisht një person

 

Shkup, 15 maj – Edhe këtë pranverë, kur në muajt e ngrohtë nisin dasmat e shumta dhe festat e tjera karakteristike për mjediset tona, sërish ka të shtëna masive me armë zjarri. Në buletinin e policisë raportohet çdo ditë për plumba endacakë, të cilët shpeshherë plagosin njerëz të pafajshëm. Ministria e Brendshme çdo vit tenton të ndikojë dhe të apelojë tek qytetarët që të ndalojnë këtë zakon primitiv, por ende është i përhapur dhe rrallëherë ka raportime apo arrestime për të shtëna pas dasmave.

Sipas hulumtimeve të kryera në mbarë botën, të shtënat në ajër nga një armë ose pushkë është jashtëzakonisht e rrezikshme, sepse plumbat e shkrepur mund të bien me një shpejtësi prej rreth 300 kilometra në orë dhe mund të vrasin lehtësisht një person. Sipas analizës së ushtrisë amerikane, viktimat e plumbave të gjuajtur në ajër kanë disa herë më shumë gjasa të vriten ose të plagosen rëndë (30%) sesa të lënduarit në të gjitha incidentet e tjera të të shtënave (2% – 6%), dhe kjo është për shkak të shumë gjasave për t’u goditur në kokë ose qafë. “Për shkak se plumbat e lëshuar nga ajri nuk ndjekin një rrugë vertikale të përsosur, ata kanë një rënie parabolike dhe mund të udhëtojnë me një shpejtësi më të madhe dhe ta godasin viktimën në mënyrë të pjerrët, në një kënd që mund të rrisë më tej vdekjen e predhës”, thanë ata.