Lidhur me pretendimet e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO-DPMNE për korrupsion rreth korridoreve 8 dhe 10 D, ambasadorja amerikan në Shkup, Angela Ageler në një intervistë për gazetën “Kapital” thekson dhe përsërit: “Nëse ka akuza për korrupsion rreth korridoreve 8 dhe 10D, hetoni! Nëse gjeni një krim, ndiqeni atë!”.
“Nëse hetimi konstaton korrupsion, le të ndiqet penalisht. Duhet të ketë përgjegjësi për të gjithë, kudo. Në të njëjtën kohë, politizimi i tepërt i gjërave ndonjëherë mund të jetë po aq i dëmshëm sa vetë korrupsioni duke penguar projektet e mira të ecin përpara dhe duke u dërguar një mesazh investitorëve të tjerë potencialë se të bërit biznes në Maqedoninë e Veriut është shumë e komplikuar dhe burokratike”, thotë ambasadorja Ageler në intervistë, përcjell Indeks.mk
Projekti i korridoreve 8 dhe 10D, thekson ambasadorja amerikan, paraqet investimin më të madh në infrastrukturë në historinë e këtij vendi dhe përfitimet për qytetarët janë të mëdha.
“Kur të përfundojnë, rrugët do të reduktojnë kohën e udhëtimit në të gjithë vendin, do të përmirësojnë sigurinë dhe aksesin për partnerët e tjerë të NATO-s, do të rrisin tregtinë dhe do ta bëjnë vendin një qendër jetike transporti në të gjithë Ballkanin”, nënvizon Ageler. (Indeks.mk)