Analistët: Albanofobia cenon demokracinë multikulturore

Edhe në diskursin publik po ndjehet një antagonizëm i rritur dhe tension në mes të dy komuniteteve etnike. Kështu u shpreh eksperti politik Petar Arsovski, duke e komentuar deklaratën e nënkryetarit të BDI-së Bujar Osmanit, se në vend është krijuar një qendër hibride politiko-ekonomike, kundër BDI-së, të cilën e shohin si sinonim i barazisë etnike.

Mbi këtë tezë ka dy aspekte vlerëson Arsovski, ai legjitim, që është rritja e vëmendjes kritike nga opinioni, për shkak të kohës së gjatë të BDI-së në pushtet dhe përqendrimit të fuqisë dhe ajo jolegjitime që rrezikon demokracinë multikulturore.

“Pjesa e dytë e kësaj teze që nuk është legjitime dhe nuk i ngjan një demokracie multikulturore dhe kur kjo shndërrohet në albanofobi të përgjithshme, kur për shkak të dyshimeve të një partie, kjo shndërrohet në një përshtypje të përgjithshme se u është dhënë shumë shqiptarëve, nuk është mirë të jenë të barabartë dhe duhet bërë një bashkim maqedonas në një antagonizëm ndaj shqiptarëve që e cenon karakterin multikulturor të shtetit.”- deklaroi për Tv21, Petar Arsovski – analist politik, përcjell Indeks.mk

Nëse ky shtet ka pasur ngecje dhe stagnime sigurisht që partitë politike shqiptare, veçanërisht BDI-ja tash, nuk mund të jenë fajtore për atë, thotë analisti politik Albert Musliu. Ai shton se me rritjen e influencës së shqiptarëve si në jetën politike ashtu edhe në atë ekonomike, disa qarqeve u pengon edhe më shumë.

“Çdo lëvizje ose çdo avancim të cilin e bëjnë shqiptarët ose të afërmit e politikanëve në Maqedoni tentojnë ta prezentojnë si fundin e Maqedonisë, që mendoj se është një lëvizje e orekstruar, nuk mendoj se ndodh rastësisht. Sa më shumë rritet influence dhe vendosmarrja e shqiptarëve edhe në qeverisje aq më shumë disa qendrave të cilat janë mësuar që shqiptarët të jenë violinë e dytë në këtë shtet, ajo më shumë u pengon se ua prish atë monopolin të cilin e kanë mbajtur me dekada.”- tha për TV21, Albert Musliu – analist politik, përcjell Indeks.mk

Kjo situatë është rezultat edhe i procesit të ndryshimeve kushtetuese ndaj të cilëve shqiptarët dhe maqedonasit shohin ndryshe, thotë Arsovski, duke shtuar se kjo nuk mund të jetë arsyetim i krijimit të një albanofobie. Musliu vlerëson se pasojat do të jenë me të këqija te pala maqedonase sepse do ta rrisin animozitetin dhe do të rritin tensionet në palën e vet dhe nuk do të dinë si të merren me ato pasi të kalojë nevoja e momentit.