– Ky valorizim i figurës politike të Ali Ahmetit dëshmon se ai është një politikan modern dhe unifikues për një shoqëri multietnike, gjë që nuk mund të thuhet për shumë poltikanë të tjerë, sidomos ata të bllokut opozitar, por dhe për diçka që është edhe ndoshta më me rëndësi, për ndikimin e tij edhe në emancipimin tonë si shoqëri, ku dallimet etnike bëhen gjithnjë e më pak relevante
(Editorial i portalit indeks.mk)
Një pjesë e opinionit publik dje u gjet e befasuar nga anketa e IRI-t, te pjesa që ka të bëjë për përkrahjen e liderëve politikë e shtetërorë. Sepse, ishte një rezultat i papritur që në krye të listës të gjendet Ali Ahmeti, para një presidenti, një kryeministri, a një lideri të partisë më të madhë opozitare!
Se Ali Ahmeti është lider që gëzon përkrahje, këtë e ka dëshmuar çdo anketë që ka matur rejtingun e liderëve politikë. Nuk përbën kurrfarë befasie që ai të jetë i pari ndër liderët shqiptarë, duke qenë se udhëheq më shumë se dy dekada subjektin më të fortë politik me jetëgjatësi më të madhe në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim. Mirëpo, është hera e pare që ai, të dalë më i përkrahur se edhe vetë liderët e partive maqedonase ose udhëheqësve shtetërorë.
Befasia është e madhe, por, prapa së cilës fshihet edhe një qasje racionale te qytetarët.
Me një fjalë, ajo valorizon vizioninaritetin dhe konstruktivitetin e një politikani, i cili ka filluar karrierën si një idealist dhe po qëndron në skenë duke realizuar kauzat e idealit të tij.
Idealet e tij për një status më dinjitoz të shqiptarëve në Maqedoni janë të njohura dhe këtu nuk ka shumëçka për të thënë. Statusi i shqiptarëve kurrë nuk ka qenë më i avancuar se tash në pikëpamje kushtetuese – juridike dhe shqiptarët si asnjëherë më parë gëzojë edhe në jetën praktike të gjitha përfitimet e këtyre ndryshimeve që solli politikëbërja e BDI-së dhe Ali Ahmetit. Përdorimi i gjuhës, universitetet shqipe, rritja enorme e përfaqësimit në administratë dhe gjithë sektorin publik, janë gjëra konkrete që ndikojnë edhe në ndjenjën e barazisë dhe shijimit të benefiteve konkrete në plan individual. Duket si çështje realizimesh individuale, por kjo nuk ka atë karakter, fakti që nga tri postet kryesore në vend, qe dy mandate me radhë e kanë shqiptarët, edhe atë duke udhëhequr me sukses(kryetarin e Parlamentit), me mundësi që madje dy prej tyre, në periudhën qe vjen, edhe me kryeministrin shqiptar. Të mos flasim për përgjegjësitë e mëdha që i kanë ministrat shqiptarë, duke udhëhequr resorë kyç, si ekonomia, financat, politika e jashtme…, gjëra të paimagjinueshme dikur, madje dhe temë debatesh e dramash politike te ne. Ma politikën e Ali Ahmetit, e gjithë kjo, duket kaq lehtë!
Ajo që e bën karrierën politike të Ali Ahmetit të veçantë dhe që ja, siç shihet po merr valorizime të reja më gjithëpopullore, është se më në fund e ka bindur publikun e gjerë se ai di të balancojë kauzat kombëtare që u përmendën më sipër, me kauzat shtetërore, ose interesin e përgjithshëm. Ishte befasi kur para disa vitesh BDI doli me “Agjendën e gjelbër”, e cila nuk ka ngjyrë etnike, sepse të gjithë jetojmë në një mjedis, dhe të gjithë do të donim t’i shijojmë të mirat e saj. Sot, në kapitullin e ri të kauzave, Ali Ahmeti dhe BDI, janë në vijën e parë të frontit për BE, si një interes jetik i gjithë qytetarëve. Në këtë betejë, ai përballet edhe me skepticizmin dhe dashakeqësinë e qarqeve të caktuara opozitare, të cilat akuzojnë se kjo rrugë për Evropë po bëhet në dëm të popullit maqedonas, por Ali Ahmeti shumë herë dhe bindshëm, ka dhënë prova se sa ka respekt për çështjet identitare dhe se duke luftuar për çështjen shqiptare, di ta çmojë peshën e problemit edhe për bashkëqytetarët maqedonas dhe se asnjëherë nuk do ta rrezikonte interesin e tyre nacional. Kjo anketë e IRI-it, ku ai ka dalë lideri më i besueshëm te të gjithë qytetarët, tregon se misioni i tij është kuptuar drejtë edhe nga qytetarët e etnisë maqedonase dhe se përpjekjet opozitare për ta kontestuar rrugën e Ahmetit drejt BE-së, po dështojnë.
Në konton e pozitivitetit të imazhit të Ali Ahmetit, gjithsesi shkon edhe suksesi i përfaqësuesve të BDI-së në qeveri, ku drejtojnë resorë kyç, e sidomos realizimi i projekteve konkrete në interes të përgjithshëm, siç janë Korridoret 8 dhe 10, ku është kyçur vetë zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, të mirat e të cilave do t’i shijojmë të gjithë, pavarësisht përpjekjeve të VMRO-së për t’i kontestuar ato në mënyra të ndryshme.
Ky valorizim i figurës politike të Ali Ahmetit dëshmon se ai është një politikan modern dhe unifikues për një shoqëri multietnike, gjë që nuk mund të thuhet për shumë poltikanë të tjerë, sidomos ata të bllokut opozitar, por dhe për diçka që është edhe ndoshta më me rëndësi, për ndikimin e tij edhe në emancipimin tonë si shoqëri, ku dallimet etnike bëhen gjithnjë e më pak relevante.